AlbanianSport.com 15/01/2019 21:10
ASNN – Kombëtarja e Nën-17-vjecarëve e drejtuar nga trajneri Elvin Beqiri e ka nisur me humbje vitin 2019, pasi në turneun “Mercedes Benz Cup 2019” që po zhvillohet në Turqi, kuqezinjtë e vegjël humbën fillimisht ndaj moshatarëve anglezë me rezultatin 0-2, ndërsa të martën u mposhtën edhe nga Turqia e kësaj moshe me shifrat 3-1. Janë dy humbje që nuk i japin shans skuadrës shqiptare që të pretendojë gjysmëfinalen apo finalen e këtij turneu.
Ndaj anglezëve skuadra nuk mundi të bënte asgjë, pasi moshatarët nga vendi ishullor ishin shumë lart teknikisht dhe fizikisht, duke bërë diferencë sidomos në pjesën e dytë, kurse në ndeshjen e së martës ndaj turqve, Kombëtarja e nën-17-vjeçarëve u paraqit më mirë. Bëri disa aksione model por nuk ia doli të finalizonte si duhet. Vendasit shënuan të parët, pastaj erdhi një autogol, por Mitaj shënoi me 11-metërsh për kuqezinjtë në fundin e pjesës së parë.
Përfaqësuesja turke e kësaj moshe shënoi dhe golin e tretë në fillim të pjesës së dytë, duke i vënë “kapak” fitores. Për kuqezinjtë mbetet dhe një ndeshje në grup për të luajtur, ajo ndaj Moldavisë, takim që do të luhet në orën 15:00 të së enjtes. Për trajnerin e ri, shkodranin, Elvin Beqiri, kjo ishte një nisje e dobët në krye të Kombëtares së Nën-17-vjeçarëve, por duhet pranuar se kundërshtarët kishin shumë cilësi. Dueli direkt me Moldavinë të enjten duhet fituar për të mos e mbyllur grupin në vend të fundit.