AlbanianSport.com 14/01/2019 17:30
ASNN – Në mbyllje të takimit të së dielës, ku fitorja i siguroi Napolit një duel në çerekfinale të Kupës së Italisë me Milanin, trajneri Karlo Ançeloti kishte fjalë pozitive për mbrojtësin shqiptar, Elseid Hysaj. I pyetur nëse do të qëndrojë apo jo mbrojtësi kuqezi tek Napoli, Ançeloti këmbënguli se “çështja “Hysaj” është administruar shumë mirë”. Është kthyer titullar në takimin e vlefshëm për turin e 16-shes së Kupës së Italisë, ku Napoli mposhti Sasuolon 2-0, me nga një gol për secilën pjesë loje, dhe, për më tepër, ka marrë edhe vlerësimin e trajnerit Karlo Ançeloti.
Një vlerësim që, në fakt, më tepër shton konfuzionin në klubin napolitan sa i përket të ardhmes së Elseid Hysajt. Në mbyllje të këtij takimi, ku fitorja i siguroi napolitanëve një duel në çerekfinale të Kupës së Italisë me Milanin, trajneri i mirënjohur italian kishte fjalë pozitive për mbrojtësin shqiptar, duke pranuar sidoqoftë se paraqitja e tij kishte disa probleme. “Elseid Hysaj bëri një ndeshje të mirë, me ndonjë gabim të vogël, por përgjithësisht bëri shumë mirë”, – tha ish-trajneri i Juventusit, Milanit, Çellsit, Realit të Madridit dhe Bajernit të Mynihut.
Megjithatë, mediat italiane ka qenë më tepër të interesuara për të ardhmen e Hysajt, sesa për paraqitjen e tij ndaj Sasuolos. I pyetur nëse do të qëndrojë apo jo mbrojtësi kuqezi tek Napoli, Ançeloti këmbënguli se “çështja “Hysaj” është administruar shumë mirë”. “Kemi patur një takim dhe kemi kuptuar që ai dëshiron të qëndrojë, ndërsa ne e vlerësojmë shumë, – ka zbuluar trajneri i napolitanëve për mediat. – Pastaj, në një sezon të gjatë mund të kesh ulje-ngritje. Mesa di unë, lojtari dhe menaxheri i tij janë shumë të qetë.”
Megjithatë, mbetet për t’u parë deri në fund të këtij muaji, kur të mbyllet edhe merkatoja dimërore, për të parë se çfarë do të ndodhë me shkodranin.