AlbanianSport.com 14/01/2019 14:45
ASNN – “Grend Slemi” i parë për vitin 2019 nisi të hënën në Australi dhe bëhet fjalë për Turneun e Hapur të Australisë, “Australia Open 2019”, një prej veprimtarive më të rëndësishme në tenisin botëror. Dhe erdhi prezantimi i parë për këtë vit i Rafael Nadal. Tenisti spanjoll fitoi me lehtësi ndaj australianit Xhejms Dakuërth, me rezultatin 3-0, ku setet përfunduan me shifrat 6-4, 6-3, 7-5. Dy setet e para u fituan me lehtësi nga tenisti spanjoll, i cili vuajti vetëm në setin e tretë.
U duk se Nadal e ka kaluar dëmtimin dhe mund të rivalizojë në këtë turne dhe në të tjerët në vijim për të shënuar suksese të reja në karrierën e tij. ndërkohë, siguroi një biletë për në raundin e dytë edhe afrikano-jugori Kevin Anderson, që iu imponua 3-1 sete francezit Adrien Manarino (6-3, 5-7, 6-2, 6-1). Po me rezultatin 3-1 fitoi edhe tenisti bullgar, Grigor Dimirov, që mposhti me përmbysje serbin Janko Tipsareviç (4-6, 6-3, 6-1, 6-4).
Dita e hënë në “Australian Open” vijoi dhe me çekun Thomas Berdiç, i cili arriti një fitore të merituar ndaj britanikut Kil Edmund me rezultatin 3-0 (6-3, 6-0, 7-5). Një tjetër ndeshje që dhuroi emocione ishte ajo mes francezit Gael Monfils dhe boshnjakut Damir Xhumhur, ku fitoi tenisti francez 3-0 (6-0, 6-4, 6-0). Përvec Rafael Nadalit, suksesi arriti edhe spanjolli tjetër, Fernando Verdasko, i cili mposhti me rezultatin 3-0 serbin Miomir Keçmanoviç (7-5, 6-3, 6-3).
“Australian Open 2019” do të vijë me ndeshje të tjera dhe priten emocione të mëdha. Natyrisht, ky vit do të jetë përcaktues edhe për tenistin numër një në botë, Rozher Federer, ecuria e të cilit këtë vit pritet me mjaft interes. Federer dhe Nadal, së bashku me serbin Novak Xhokoviç cilësohen si tre tenistët më të mëdhenj që kanë luajtur ndonjëherë.