AlbanianSport.com 14/01/2019 13:50
ASNN – Në Argjentinë jeton një komunitet i konsiderueshëm shqiptar, i cili i ka rrënjët nga arbëreshët e Kalabrisë dhe të Siçilisë. Së fundmi po lakohet të realizohet një surprizë e madhe në ekipin kombëtar të Shqipërisë, pasi pikërisht një arbëresh i Argjentinës po sfidon Elseid Hysajn në mbrojtjen e përfaqësueses. Bëhet fjalë për Tomas Guidarën, i cili është i datëlindjes 1996 dhe luan me skuadrën e Belgranos në kampionatin argjentinas.
“Mundo Lavoz” në Argjentinë shkruan se mbrojtësi është në fokusin e Kristian Panuçit dhe tekniku italian do të zbarkojë javën e ardhshme në Buenos Aires për të takuar mbrojtësin, i cili mund të pranojë të vishet me ngjyrat kuqezi të Shqipërisë. Duket e habitshme se si një lojtar argjentinas, me rrënjë të thella shqiptare, por pa pasur shumë njohuri për Shqipërinë, do të jetë pjesë e përfaqësueses kuqezi. Gjithmonë nëse lojtari do të pranojë ftesën e Panuçit.
Referuar kësaj medieje, Guidara kishte qenë në fokusin e trajnerit italian dhe të FSHF-së prej disa muajsh, por tani shihet momenti i duhur që ai të bëhet pjesë e përfaqësueses kuqezi. “E di kush është, – shprehej Panuci pak kohë më parë, – e kam parë, por nuk kemi folur.” Një qëndrim i tillë tregon se trajneri kuqezi e ka pasur lojtarin në fokusin e tij. Nëse Guidara do të pranonte ftesën si kuqezi, atëherë për përfaqësuesen shqiptare do të hapej një dimension i ri.
Sepse do të pranoheshin në gjirin e saj edhe futbollistë që kanë rrënjë të largëta shqiptare, siç ndodh me arbëreshët e Argjentinës, në skajin tjetër të botës. Fundja, kushdo që e ndjen veten shqiptar dhe i do ngjyrat e këtij vendi e këtij kombi ka të drejtë të luajë për përfaqësuesen e tij, ashtu sikundër ka ndodhur me futbollistë kuqezi që kanë luajtur me Kombëtaren edhe pse nuk kanë lindur në Shqipëri. Ndërkohë, lojtari është mbrojtës i djathtë dhe mund t’i bëjë sfidë Elseid Hysajt. Kjo e bën akoma më interesante ardhjen e tij.