AlbanianSport.com 13/01/2019 16:50
ASNN – Rafael Nadali bëri të ditur të shtunën se ai ishte rikthyer në formën e tij më të mirë fizike, madje ka edhe një mënyrë të re shërbimi që do ta shpalosë në Turneun e Hapur të Australisë, “Australian Open 2019”. Numri 2 i renditjes botërore të tenisit të meshkujve doli duke çaluar nga “Melbërn Park” para një viti, duke u detyruar të tërhiqej, për shkak të dhimbjeve, nga dueli çerekfinal me Marin Çiliçin.
Fituesi i 17 titujve madhorë, “Grend Slemeve”, mungoi në shumicën e 3 muajve që vijuar dhe e ndërpreu sezonin, për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje në një dëmtim që e kishte shqetësuar në këmbë. Ai u tërhoq nga një turne parapërgatitor në Brisbejn para pak ditësh, për shkak të një tendosjeje muskulore, por deklaroi të shtunën se i kishte lënë pas telashet me shëndetin.
“Ndjehem mirë dhe, nëse nuk do të ndjehesha mirë, nuk do të isha këtu”, u tha Nadali gazetarëve dy ditë para nisjes së të parit turne madhor të vititit në tenis. “Ndjehem mirë pas atij operacionit, – ka vijuar ai, duke shpjeguar: “Natyrisht, pas muajsh pa bërë ndeshje zyrtare, kur ke probleme në stërvitje, sigurisht që has gjithmonë në probleme kur kthehesh në garë. Por kjo nuk është asgjë e re për mua.”
Nadali e pranoi se i duhet ta administrojë mirë ngarkesën fizike mbi trupin e tij 32-vjeçar dhe, për këtë qëllim, ka përmirësuar edhe shërbimin e tij, me qëllim zgjatjen e karrierës. “Ka gjithmonë gjëra për të përmirësuar dhe shërbimi është diçka që jam përpjekur gjithmonë ta përmirësoj dhe besoj se ia kam dalë”, – përfundoi spanjolli, i cili, në turin e parë, përballet me tenistin vendas, Xhejms Dakuërth.