AlbanianSport.com 13/01/2019 14:05
ASNN – Në Shkodër është zhvilluar Kupa “Zamir Shpuza”, një veprimtari që i kushtohej ish-futbollisti të Vllaznisë, pikërisht në 5-vjetorin e ndarjes së tij përpara kohe nga jeta në moshën 45-vjeçare. Një figurë sportive kjo që ka lënë gjurmë jo vetëm në kampionatin shqiptar, ku edhe është shpallur “kampion” me Vllazninë, por edhe me Kombëtaren kuqezi ku ishte pjesë e saj për disa vite.
Pa lënë mënjanë këtu edhe karrierën e pasur sportive jashtë vendit, fillmisht me Buduçnostin në kampionatin e Malit të Zi dhe sidomos në futbollin gjerman, atje ku jetoi me familjen e tij derisa papritmas ndërroi jete. Në këtë turne përkujtimor morën pjesë 6 ekipe të futbollit të moshave, Akademia “Shpuza”, “Rozafa” A”, KF “Shkodra”, Akademia “AAS”, “Shkodra 2006” dhe “Rozafa B”.
Në finale u përballën “Shkodra 2006” e trajnerit Alket Beqiri dhe “Rozafa A” e trajnerit Bledar Marshija dhe kjo e fundit fitoi me rezultatin 3-1, duke bërë të vetën edhe trofeun e Kupës “Zamir Shpuza”. Në ceremoninë e mbylljes së kësaj veprimtarie në të cilin morën figura të njohura të sportit shkodran, të cilat kanë vlerësuar Zamir Shpuzën si njeri dhe si futbollist.
Në emër të familjes “Shpuza” ka folur vëllai i Zamirit, Luan Shpuza, njëkohësisht edhe drejtuesi i Akademisë “Shpuza”.