AlbanianSport.com 12/01/2019 23:35
ASNN – Myrto Uzuni vijon “adetin” në Kroaci, Lokomotiva nuk bën pa golat e shqiptarit. Myrto Uzuni po kalon një sezon fantastik në karrierën e tij. Kaloi nga Laçi tek Lokomotiva e Zagrebit me shumë dyshime, por sot ai është lojtari më i vlefshëm i skuadrës kroate. Edhe tifozët janë “dashuruar” me sulmuesin e krahut, pasi ai driblon, argëton, shënon gola. Është i shpejtë, teknik dhe i saktë.
Uzuni ishte të shtunën sërish protagonist me Lokomotivën e Zagrebit, por këtë herë në një duel miqësor me NK Goricën, një skuadër tjetër kroate. Uzuni shënoi golin e vetëm për Lokomotivën në minutën e 7-të të takimit, ndërkohë që vetëm 2 minuta para fundit, kanë barazuar miqtë me anë të një 11-metërshi. Kundërshtari të cilit i shënoi Uzuni, Gorica, është një ekip i elitës në kampionatin kroat, madje ndër 4 vendet e para.
Pak javë më parë Lokomotiva barazoi në kampionat me këtë skuadër me rezultatin 2-2, por Uzuni në atë takim nuk ia doli të shënojë. Kështu që goli i sotëm ishte si çlirim për atë që nuk e arriti pak kohë më parë. Sa i takon Kombëtares, Uzuni ka krijuar shpejt profilin e tij si lojtar me peshë në skuadrën e Lokomotivës dhe fakti që aktivizohet rregullisht me ekipin e tij, për më tepër që shënon gola dhe jep pasime ideale, e bëjnë atë favorit për të qenë në formacionin kuqezi të trajnerit Kristian Panuçi.