AlbanianSport.com 12/01/2019 22:40
ASNN – Skënderbeu harron problemet që ka dhe nis të mendojë për blerjet në merkaton e janarit. Klubi korcar kishte dy ditë rresht në provë një futbollist shqiptar të lindur në Novi Sad, Serbi. Djaloshi 23-vjeçar Elmir Asani është zyrtarizuar tek klubi korçar tashmë dhe llogaritet si përforcim cilësor për sezonin në vijim.
Ajo që bëri fakt të kryer arritjen e marrëveshjes ishte paraqitja mjaft e mirë e tij në ndeshjen miqësore kundër Bylisit, ku Skënderbeu fitoi me rezultatin 4-1. Fill pas miqësores, presidenti i Skënderbeut Ardian Takaj mori lojtarin në zyrë dhe nënshkroi me të një kontratë 3-vjeçare.
Ka diçka pozitive në cilësitë e lojtarit, pasi ai është mesfushor krahu, por Skënderbeu ka bindjen se mund të luajë në disa role. Futbollisti 23-vjeçar ka luajtur në karrierën e tij për Vojvodinën, Zemunin dhe Vozdovacin në Superligën e Serbisë, ku është aktivizuar në total 62 ndeshje. Për Skënderbeun llogaritet të jetë një blerje serioze në këtë merkato dimri.