AlbanianSport.com 12/01/2019 20:50
ASNN – Etrit Berisha i thotë të gjitha për “Gazzetta dello Sport”, nga rivaliteti me Strakoshën, deri tek ambicia për të hapur shkollë futbolli. Portieri i Kombëtares Etrit Berisha ka dhënë një intervistë të gjatë për të përditshmen e mirënjohur sportive italiane, “Gazzetta dello Sport”, duke prekur shumë çështje njëherësh, duke shpalosur objektivat e tij me Atalantën, por edhe vështirësitë e karrierës që kur mbërriti në Serinë A italiane. Ai nuk la pa përmendur dhe Strakoshën, që e radhiti krahas Donarumës si një nga më të mirët në kampionatin italian, por edhe ambicien e tij të madhe për të hapur një shkollë futbolli në Kosovë.
Në fillim Berisha foli për rrethanat që e çuan në Serinë A, ku rol thelbësor pati Igli Tare që e mori tek Lacio. “Unë pata oferta të ndryshme, – rrëfen portieri i Kombëtares kuqezi, Etrit Berisha, – por Tare ishte vendimtar dhe e falënderoj. Isha një hap larg nga Kievos (nënshkrova një kontratë paraprake, që më pas u anulua). E pamundur të refuzoja Lacion, por pas 3 sezonesh si i dytë pas Marketit, kam dashur të bëhem protagonist. Bergamo ishte një sfidë e re, një shans për të treguar vlerën time. Përvoja ndihmon shumë, ashtu si edhe gabime, eliminimi me Borusian i ka dëmtuar të gjithë. Kam vuajtur, por ai episod e forcoi karakterin tim.”
“Sot jam i lumtur dhe e imagjinoj të ardhmen time këtu, – theksoi më pas portieri nga Kosova i përfaqësueses së Shqipërisë, -. Klubi është ambicioz dhe nuk luftojmë për mbijetesë, kështu që s’kam se çfarë kërkoj më shumë.” Më pas “gardiani” kuqezi shpalos objektivat e tij me Atalantën, duke mos e fshehur dëshirën që pas objektivit kryesor që është mbijetesa në Serie A, objektivi tjetër madhor është pjesëmarrja në Ligën e Evropës. “Do të varet nga pjekuria jonë, – tha Berisha më tej në intervistën e tij, – ne kemi 28 pikë dhe 4-5 mungojnë për gabimet tona duke përfshirë gola që mund të shmangeshin. Renditja është e mirë, por duhet të arrijmë objektivat.”
“Futbolli ka ndryshuar shumë dhe tashmë hyjnë shumë në punë edhe këmbët. Vetë Gasperini kërkon që aksionet të nisin që nga porta. Golini është një djalë dhe lojtar i shkëlqyer, ka një rivalitet të drejtë, por unë kam punuar gjithmonë për të pasur mundësi dhe që të jem siguri për shokët”, u shpreh Berisha kur u pyet për rivalitetin me portierin tjetër të Atalantës, Golinin. “Loris, Pikford, Handanoviç dhe Oblak janë më të mirët, – vlerësoi Berisha kolegët e tij në serinë A italiane. – Në Itali, përveç Samir Handanoviçit, unë them Donaruma, e ardhmja i përket atij, si edhe Kranjo që është i jashtëzakonshëm.”
“Nuk e harroj shokun tim Strakosha, – thotë Berisha. – Ëndrra ime është të luaj në Ligën e Kampioneve dhe të fitoj një trofe. Do të ishte gjëja më e mirë që mund të bëj me Atalantën. Dua që të merrem me zbulimin e talenteve dhe shpresoj shumë që të hap një shkollë futbolli në Kosovë. Kjo është një dëshirë e madhe dhe e hershme e imja”, përfundoi Berisha për “Gazzetta dello Sport”.