AlbanianSport.com 12/01/2019 19:00
ASNN – Trajneri i Teutës, Baletiç: Fitoret në Ligën ballkanike t’i fuqizojmë edhe në kampionat. Teuta në basketboll për meshkuj, mposhti kazakët e Barsi Atiraut në kuadër të Ligës Ballkanike, me rezultatin 81-76, duke u ngjitur në kryesim së bashku me Akademik Bulteksin e Bullgarisë, me nga 13 pikë secila në 8 ndeshje të luajtura. Fitorja e Teutës bëri bujë, sepse skuadra kazake ka lojtarë cilësorë e të fuqishëm.
Kjo është një fitore me vlerë për renditjen, por edhe imazhin e grupit dhe gjendjen psikologjike në prag të startit të ndeshjeve në aktivitetet kombëtare. Trajneri i Teutës, Miodrag Baletiç, u shpreh pas ndeshjes me kazakët se fitorja e kishte lumturuar, ajo kishte qenë e merituar dhe me peshë për vazhdimësinë e skuadrës në këtë veprimtari rajonale.
“Ishte një ndeshje shumë e fortë ndaj një kundërshtari shumë të fortë, – u shpreh tekniku i “djemve të detit”, – i cili ka në përbërje lojtarë të huaj cilësorë. Teuta luajti mirë dhe e meritoi fitoren. Pikërisht kjo fitore na motivon edhe për kampionatin, ku presim të bëjmë gjëra akoma më të mira. Natyrisht, kjo do të realizohet pasi të fuqizohemi me elementë të rinj cilësorë në këtë merkato dimri.”
“Jemi në rrugën e duhur dhe shpresojmë t’i realizojmë objektivat tona”, – përfundoi trajneri malazez i bregdetarëve të koshit, Miodrag Baletiç. Theksojmë se Teuta ka një rivalitet të shprehur në kampionat me 3 skuadra që janë skuadra tjetër e Durrësit, Goga Basket, por edhe dyshja e kryeqytetit, Partizani dhe Tirana dhe gara për titull midis tyre është plotësisht e hapur.