AlbanianSport.com 12/01/2019 18:05
ASNN – Tahiraj mban për orë të tëra në ankth Kroacinë, në fund kalon tek Hajduku i Splitit. Dinamo e Zagrebit citohej në mediat sportive kroate si destinacioni i ri i Françesko Tahirajt, futbollistit të dalë nga akademia e Juventusit dhe që ka luajtur në Slloveni për Aluminijin. Por ai zbarkoi në kampionatin kroat dhe jo me Dinamon e famshme të Zagrebit, por me Hajdukun e Splitit, gjigandja tjetër e futbollit të Kroacisë.
Djaloshi 22-vjeçar shqiptar shkëlqeu në kampionatin slloven, ku gjatë këtij edicioni realizoi 9 gola dhe ishte nga më të mirët, e ka bërë zgjedhjen e tij tashmë dhe zgjedhja e tij është Hajduku i Splitit, skuadër së cilës do t’i bashkohet në fazën përgatitore në Belek të Turqisë. Sipas mediave sportive kroate, Tahiraj ka arritur një akord me klubin e njohur kroat dhe një kontratë që do të zgjasë plot tre vjet.
“Jutarnji List” shkruan se Tahiraj ishte vetëm një hap larg Dinamos së Zagrebit, klubit më të madh të Kroacisë, por diçka nuk shkoi në orën e fundit dhe talenti vlonjat i dalë nga akademia e Juventusit përfundoi tek Hajduku i Splitit, gjithashtu një skuadër e madhe e futbollit kroat dhe atij ballkanik. Një kalim i tillë do ta ndihmojë futbollistin që të jetë në fokusin e trajnerit Kristian Panuçi për duelet eliminatore në kuadër të Kampionatit të ardhshëm Evropian, “Euro 2020”.