AlbanianSport.com 11/01/2019 23:55
ASNN – Teuta kthehet si “mbretëreshë” në Ligën Ballkanike, fitore bindëse ndaj kazakëve të Barsi Atirau. Teuta ka regjistruar një fitore të rëndësishme mbrëmjen e të premtes në Ligën Ballkanike, pasi mposhti në udhëtim skuadrën kazake të Barsi Atiraut, me rezultatin 81-76. Ishte një ndeshje me dy pamje të ndryshme, pasi në dy pjesët e para dominuan kazakët që shkuan në pushimin e madh me 7 pikë epërsi (40-33), ndërkohë që Teuta fitoi dy pjesët e tjera me rezultatin 48-36.
Pikërisht këto 12 pikë diferencë të pjesës së dytë të ndeshjes i sollën Teutës një dypikësh me vlerë, sepse kjo ishte ftorja e dytë e skuadrës durrsake jashtë fushës së saj. Më parë kishte mundur në udhëtim vetëm ekipin e Bashkimit të Prizrenit. Kështu që suksesi i Teutës merr vlerë, për më tepër që barazohet me pikë me vendin e parë në renditje, Akademi Bulteksin, me nga 13 pikë secila. Ndeshja nisi e barazpeshuar dhe këtë e tregojnë më mirë shifrat e 10-minutëshit të parë.
Ai është mbyllur me epërsinë minimale të durrsakëve, 15-14. I dobët ishte sidomos 10-minutëshi i dytë i ndeshjes, ku Teuta pësoi disfatë me shifrat e thella 26-18. Natyrisht, 7 pikë diferencë në favor të kazakëve ishin epërsi për Barsi Atiraun, por Teuta nuk u dorëzua dhe ia doli ta përmbysë ndeshjen, sidomos në 10-minutëshin e tretë, ku “Djemtë e detit” të Shqipërisë fituan 27-16. Në 10-minutëshin e fundit durrsakët menduan më shumë të mbronin epërsinë e krijuar.
Ata luajtën mirë në të dy fazat e lojës, si në mbrojtje dhe në sulm dhe, për rrjedhojë, ky 10-minutësh përfundoi me shifrat 21-20 në favor të tyre. Kështu, Teuta e fitoi ndeshjen me rezultatin 81-76 dhe me këtë dypikësh ngjitet në kuotën e 13 pikëve, po kaq sa vendi i parë që mbahet nga bullgarët e Akademik Bulteksit.
Barsi Atirau – KS Teuta 76-81
(14-15, 26-18, 16-27, 20-21)
Renditja:
Nr. Skuadra N F H P
- BC Akademik Bulteks 8 5 3 13
- KS Teuta 8 5 3 13
- BC Beroe Stara-Zagora 5 5 0 10
- KK Blokotehna-NB 5 4 1 9
- KK Kozhuv 6 1 5 7
- BC Barsi Atirau 6 1 5 7
- KB Bashkimi Prizren 6 1 5 7