AlbanianSport.com 11/01/2019 20:15
ASNN – Shkëmbi heq “dorashkat”: Në media përmenden shumë emra, por në realitet ka ardhur vetëm Erlis Frashëri. Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, duke folur për rrjetin e Televizionit Shqiptar, tha se në këtë pjesë të parë të merkatos dimërore në skuadrën e tij ka vetëm një afrim dhe ai është Frashëri, ndërsa emrat e tjerë janë vetëm të lakuar në media por se në klub nuk kishte praktikisht lëvizje tjetër afruese. “Deri në këto momente është vetëm Frashëri që është afruar”, – theksoi Shkëmbi.
“Kemi kohë që me Frashërin kemi shprehur dëshirën dhe kemi gjetur marrëveshjen me Kamzën dhe natyrisht që është një afrim që na bën punë sepse e njeh Superioren, – ka vijuar ai. – Për momentin, do të vazhdojmë me këtë grup që kemi, vetëm nëse vjen një lojtar më i mirë se këto që kemi dhe atëherë mund të ketë disa ndryshime në ditët në vijim”. Nuk kishte si të mungonte në komentin e tij dhe përgjigja për një afrim të mundshëm të mbrojtësit Renato Arapi.
Për të cilin trajneri korçar i skuadrës durrsake thotë se dëshira është e madhe nga të dy palët, por se deri tani nuk ka asgjë konkrete. “Kanë dëshirë të dyja palët që ky transferim të kryhet, por nuk ka asgjë konkrete, – ka pohuar ish-kapiteni i Skënderbeut. -Ka disa probleme me klubin turk dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë. Deri më tani, nuk ka asgjë konkrete. Në media mund të jenë përmendur shumë emra, por deri tani jemi këto që jemi”.
“Nga java e parë deri në javën e 18-të nuk mund të mbash të njëjtin ritëm ose nivel loje, por deri më tani kemi bërë mirë. E rëndësishme është që nga java në javë të përmirësohemi dhe të bënin mirë. Do të punojmë më shumë që të bëjmë më mirë në dy fazat e mbetura”, – përfundoi trajneri i skuadrës së Teutës, Bledi Shkëmbi.