AlbanianSport.com 11/01/2019 19:20
ASNN – 12 skuadra do të luftojnë për titullin, “play-off”-i final me 4 skuadra, gjithçka nis të premten e ardhshme. Pas Kampionatit të Të Rriturve dhe atij të Nën-18-vjeçarëve, javën e ardhshme ngre siparin e Kampionati Kombëtar i Basketbollit për Nën-16-vjeçarët, djem. Për këtë qëllim, në mjediset e Federatës Shqiptare të Basketbollit është hedhur shorti i këtij sezoni, i cili, sikundër edhe dy veprimtaritë e tjera, do të zhvillohet me sistem vajtje-ardhje.
Në përfundim të sezonit të rregullt, 4 ekipet e para do të përballen me njëra-tjetrën në “play-off”-in për titullin. Në kampionatin e këtij sezoni janë gjithsej 12 skuadra dhe në mjediset e FSHB-së në kryeqytet, një pjesë e përfaqësuesëve të këtyre ekipeve, në praninë e Sekretarit të Përgjithshëm të organizmit që qeveris koshin shqiptar, Korab Lllazani janë përcaktuar edhe çiftet e javës së parë.
Kështu, në takimet që luhen fundjavën e ardhshme, luhen përballjet Marsi Basket-Apolonia, Teuta-Dinamo, Alfa Basket-Ardhmëria Basket, Kamza Basket-Horizont, Vllaznia-Qendra e Minibasketit Tirana dhe Invejdës-Superiore Basket. Ndërsa kampionatet kombëtare të basketbollit për grupmoshat më të vogla do të zhvillohen, për arsye logjistike, me sistem grumbullimi.