AlbanianSport.com 11/01/2019 14:45
ASNN – Duke vizituar Beninin në një tur në vende të ndryshme afrikane, Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino ka thënë se Egjipti, i cili është zgjedhur për të pritur Kupën e Kombeve të Afrikës në vitin 2019, në vend të Kamerunit, do të ketë pak kohë për t’u organizuar.
“Por jam i sigurt se, në fund, ata do të bëjnë gjithçka që kjo veprimtari të dalë me sukses, – ka thënë ai. – Për Kupën e Kombeve të Afrikës 2019, kishte dy kandidatë dhe Komiteti Ekzekutiv i CAF-it, përgjegjës për këtë vendim vendosi t’ia besojë organizimin e kësaj Kupe Afrikane, Egjiptit këtë verë.”
“Sigurisht, që ka vetëm një kohë shumë të shkurtër për ta organizuar atë, por unë jam i sigurt se Egjipti do të jetë në gjendje të zhvillojë, një Kupë të Kombeve të Afrikës shumë të bukur – vijoi Infantino. – Ne e dimë mirë fuqinë e egjiptianëve dhe afrikanëve në përgjithësi.”
“Ata janë tamam si italianët që e lenë gjithçka në minutën e fundit, por ama në fund gjithçka është e përsosur”, – ka përfunduar kreu i organizmit që qeveris futbollin botëror. Në takim me Infantinon ishte edhe Presidenti i Beninit, Patris Talon. Dy presidentët nënshkruan një marrëveshje midis FIFA-s dhe Beninit për sportin në shkolla.