AlbanianSport.com 11/01/2019 12:00
ASNN – Kukësi e merr seriozisht merkaton dhe sfidon Partizanin, gati firma me talentin e Shpresave. Kukësi po dëshmon në këtë merkato dimri se ka prioritet fitimin e titullit “kampion” për këtë sezon, nisur nga lëvizjet me emra të spikatur dhe njëherësh mbajtjen hapur të merkatos për lojtarë të kalibrit të Kombëtares. Referuar mediave sportive shqiptare, Kukësi është në pritje të një futbollisti cilësor të Kombëtares së Nën-21-vjeçarëve, një lëvizje që mund të konkretizohet në orët në vijim.
Bëhet fjalë për Faton Xhemailin e lindur në Bujanovc, zonë shqiptare në jug të Serbisë, i cili aktivizohet në kampionatin serb me Radnik Surdulica. Ai është mbrojtës i majtë dhe në nëntor të vitit 2018 regjistroi paraqitjen e tij të parë me ngjyrat kuqezi, duke u bërë pjesë e ekipit të Alban Bushit. Është vetëm 20 vjeç dhe shihet me përparësi nga ekipet kombëtare por njëherësh edhe nga klubi i Kukësit që dëshiron t’i japë një shtysë lojtarit dhe të forcojë njëherësh pozitat e veta.
Firma mbi kontratë ende nuk ka ardhur, por për afrimin e talentit shqiptar nga Lugina e Preshevës po punon vetë drejtori teknik i skuadrës, Nderim Nexhipi. Lojtari është i ri dhe mund të jetë për Kukësin një “as nën mëngë”, pasi, nëse shkëlqen me verilindorët, ai mund të shfrytëzojë Kukësin si “trampolinë” për të kaluar në një kampionat të madh. Në këtë mënyrë, Kukësi i Safet Gjicit po i bën karshillëk Partizanit të Gaz Demit, në rrugëtimin dhe rivalitetin e tyre për titullin e këtij edicioni.
Më herët në kampin verilindor kanë mbërritur dy futbollistë të Luftëtarit, që të dy cilësorë, siç janë Eduard Rroca dhe Vasil Shkurtaj, ky i fundit një nga goleadorët kryesorë të kampionatit të sivjetmë. Sikurse raportohet, palët janë ende në diskutime me talentin Xhemaili dhe pritet vetëm të hidhet firma mbi kontratë.