AlbanianSport.com 11/01/2019 09:15
ASNN – “Dritë jeshile” për Kristal Abazajn, huazimi te Lokereni plotësisht i mundur. Disa klube belge kanë shprehur interesim për sulmuesin shqiptar Kristal Abazaj. Ndër ta është dhe Lokereni, skuadra e njohur e cila është gati të bëjë një sakrificë financiare, madje deri atje sa të paguajë kartonin e tij me vlerë prej 750 mijë eurosh për ta marrë në gjirin e vet dhe për ta pasur si “xhol” në skuadrën e tyre. Natyrisht, kërkesat nuk kanë qenë të shumta dhe janë kryesisht brenda Belgjikës, por lojtari dhe klubi i tij, Anderlehti, janë duke shqyrtuar ofertën më të mirë.
Për momentin mësohet se Anderlehti dëshiron ta huazojë Abazajn në një skuadër tjetër në mënyrë që ai të luajë. Nuk dëshiron ta shesë, pasi e ka në planet e së ardhmes, por shumat e ofruara dhe emrat e skuadrave që kanë shprehur interes po i bindin palët se shitja e lojtarit është variant më i mirë. Pra, për Kristal Abzajn po hapet “drita jeshile” për t’u larguar në drejtim të një klubi tjetër dhe jo në formë huazimi, por si transferim përfundimtar. Ka qenë vetë 22-vjeçari shqiptar që i ka kërkuar klubit të Anderlehtit largimin, në formë huazimi ose përfundimtar.
Me arsyetimin se diku gjetkë do të ketë mundësinë të luajë. Këtë kërkesë e ka miratuar edhe klubi dhe palët bien dakord që Abazaj duhet të ndryshojë mjedis. Problem mbetet vetëm vlera e kartonit që do të jetë e diskutueshme ose emri i skuadrës ku do të huazohet. Vendimi përfundimtar për një kalim ose jo në radhët e Lokerenit do të merret ditën e diel dhe sipas mediave belge, palët po punojnë për arritjen e një marrëveshje të kënaqshme për të gjithë. Vendimin përfundimtar do ta marrë vetë lojtari shqiptar, i cili mësohet se ka në tryezën e tij edhe dy oferta të tjera.
Por ato nuk janë në lartësinë financiare që ofron Lokereni. Megjithatë, për Abazajn ka pak rëndësi emri i skuadrës në këtë moment. Ai dëshiron thjesht të luajë në fushë dhe po përpiqet të gjejë alternativën më të mirë në këtë aspekt, pra një klub që i ofron mundësi të luajë në fushë.