AlbanianSport.com 10/01/2019 14:05
ASNN – Roger Federer, numri 3 i renditjes botërore të tenisit, është gati për të filluar turneun e parë të rëndësishëm të 2019, atë “Australian Open”. “Shpresoj se përvoja ime do të më ndihmojë shumë për të fituar Turneun e Hapur të Australisë”, – deklaroi ai. – Ndihem shumë mirë. Mendoj se Kupa “Hopman” më ka ndihmuar për të parë formën time”.
Fillimi i vitit 2018 për zviceranin ka qenë i mirë, ndërsa gjysma e dytë nuk shkoi shumë mirë. Tashmë pas kaq shumë vitesh lojë në këtë sport ai e di se si duhet të veprojë për të kaluar momentet e vështira. “Me mendje, e di se mund të jem gati, – ka theksuar zvicerani. – Jam duke u përgatitur që edhe trupi të më përgjigjet po ashtu. Deri më tani kam qenë mrekullisht mirë. Nuk mund të ankohem”.
Ndërsa numri 1 i botës në tenis, Novak Gjokoviç thotë pas kaq vitesh lojë e ndjen veten të ngopur. E pranon se do të vazhdojë të luajë për kënaqësi. “Nëse nuk kam ndonjë kuptim domethënës për atë që po bëj, nuk do ta bëja atë, – ka thënë serbi. – Sidomos në këtë fazë të karrierës sime, që kam arritur të them “mirë, është e mjaftueshme”. Luaj për emocion të pastër dhe dashuri, për pasionin ndaj këtij sporti.”
“Dhe përderisa e kam këtë dhunti do të vazhdoj, – ka shtuar tenisti i njohur me nofkën “Nole”, i cili e kujton me emocion finalen e vitit të kaluar me Rafael Nadal teksa shprehet: “Ajo ndeshje kundër Nadal që shkoi pothuajse 6 orë në finalen e Australian Open do të qëndrojë gjatë në kujtesën time si ndeshje e madhe, më emocionuesja që unë kam luajtur ndonjëherë”.
Gjokoviçi e pëlqen shumë natyrën. “Kam një mik që ka një fik brazilian dhe më pëlqen të ngjitem aty. Madje ju premtoj se nëse fitoj “Australian Open” do të më shihni në majë të fikut”- ka thënë tenisti serb.