AlbanianSport.com 10/01/2019 13:10
ASNN – Në Zvicër është hapur votimi në rrjetet sociale për golin më të bukur të vitit. Çmimi për realizimin më të bukur gjatë 2018-së do të jepet në fund të muajit janar dhe në garë për “Golin e vitit” janë edhe katër lojtarë shqiptarë. Dihet që shqiptarët kanë një peshë të veçantë në futbollin zviceran, jo vetëm në atë të klubeve, por edhe në ekipin kombëtar helvetik.
Natyrisht, vëmendja shkon tek Taulant Xhaka, i përfaqësueses së Shqipërisë, i cili realizoi gjatë vitit 2018 një supergol për Bazelin në duelin kundër Jang Bojs. Një gjuajtje nga 25 metër, “silur” i vërtetë dhe një super-realizim, në trekëndëshin e pakapshëm të portës kundërshtare, një gol që deri tani qëndron në vend të parë si realizimi më i bukur i vitit.
Duket e habitshme, por Bazeli i ka dalë në krahë Xhakës, duke ftuar tifozët t’i bashkohen videos që i jep më shumë vota Taulant Xhakës. Çmimi do të jepet më 28 janar në Lucernë, në një mbrëmje gala të federatës zvicerane. Votimi do të jetë i hapur deri më 18 janar, kështu që tifozët kuqezi duhet të nxitojnë të bëjnë me vlerë votën e tyre përkrah mesfushorit të Kombëtares.
Nuk është vetëm Xhaka në këtë garë, pasi krahas tij për çmimin e golit më të bukur të vitit janë dhe tre shqiptarë të tjerë. Kështu, Arijan Qollaku ka spikatur me Shafhauzenin, ndërsa në listë janë dhe Egzon Kllokoqi e Pajtim Kasami, të cilët luajnë përkatësisht me Rapersvilin dhe Sionin. Edhe ata kanë shënuar gola të bukur, por padyshim që për Xhakën vëmendja është e veçantë, nisur nga fakti se ai luan me përfaqësuesen kuqezi.