AlbanianSport.com 10/01/2019 12:15
ASNN – Çështja e pagave tek Flamurtari vazhdon të mbetet e njëjtë. Edhe pse administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi, vetëm pak ditë më parë konfirmoi se ka vonesa deri në dy muaj, lojtarët kërkojnë që situata të zgjidhet sa më shpejt. Veç kreut të klubit vlonjat, askush nuk ka pranuar të flasë për situatën, përpara kamerave. Nga ana tjetër lojtarët nën zë pranojnë se presin një zgjidhje sa më të shpejtë. Aktualisht dy janë çështjet më emergjente në klubin vlonjat, ajo e dy lojtarëve të huaj, Danilo Alvesh dhe kapitenit Tomislav Bushiç.
Pas pushimeve dimërore, Alvesh nuk është kthyer ende nga Brzaili. Madje ai ka bërë të ditur se nëse nuk paguhet, nuk do të jetë i pranishëm në seancat stërvitore të Flamurtarit. Po ashtu edhe Bushiç, i cili nuk ishte pjesë e skuadrës në miqësoren e luajtur ndaj Lushnjes, duket se kërkon zgjidhje të situatës financiare. Ndërsa klubi e ka justifikuar mungesën e kapitenit në miqësore, duke u shprehur se kroati ka një problem muskular. Prej kohësh lojtarët pranojnë nën zë se kanë më shumë se dy muaj pa marrë pagat, ndërsa klubi konfirmon të kundërtën.
Aktualisht veç Bushiç, i cili mësohet se ka ngritur zërin, por pa iu drejtuar me një shkresë klubit, asnjë lojtar tjetër nuk i është drejtuar me ndonjë letër-ankesë klubit apo organizmit drejtues të futbollit në vend, FSHF-së, për të kërkuar pagat e tyre, ose më mirë për të mësuar më shumë se çfarë do të bëhet. Situata mbetet problematike në Vlorë, me stërvitjen që vijon. Por lojtarët e kanë mendjen tek zgjidhja e situatës financiare, e cila për momentin mbetet e paqartë te Flamurtari. Kjo gjë në fakt nuk është e panjohur për klubin e Flamurtarit.
Prej vitesh futbollistët nuk janë paguar ose janë paguar me shumë vonesë. E kjo gjë ka sjellë e rrezikun e rënies nga kategoria. Mos po përsëritet skenari edhe këtë vit? Të presim për të parë.