AlbanianSport.com 09/01/2019 21:40
ASNN – Shqipëria në volejboll për femra ishte thjesht një emër në grupin e saj eliminator të Kampionatit Evropian, e asgjë më shumë. Luajti gjashtë ndeshje, i humbi të gjitha. Nuk fitoi asnjë set dhe shumicën e ndeshjeve i mbylli me pikëaverazh mjaft të dobët, duke u dorëzuar ndaj të gjithë rivaleve në grup dhe duke e mbyllur grupin në vend të fundit, me zero pikë të grumbulluara e zero sete të fituara.
Ndeshja e sotme midis Shqipërisë dhe Kroacisë kryesuese grupi, nuk pati kurrfarë emocioni. Dueli i luajtur në sallën sportive “Feti Borova” tek “Parku Olimpik” i Tiranës, kishte dominuese në parket vetëm një skuadër, përfaqësuesen kroate, e cila e fitoi me meritë dhe bindshëm ndeshjen 3-0. Ajo që duhet përmendur si tregues domethënës për diferencat midis dy skuadrave është koha e zhvillimit të lojës.
Aty ku fitorja kroate zgjati vetëm një 59 minuta. Vetëm 59 minuta rezistencë nga vajzat kuqezi, që dëshmojnë se ishin të papjekura për të bërë një turne të madh. 15-25 përfundoi seti i parë, shumë keq i dyti që mbyllet me shifrat 8-25 dhe 14-25 i treti. Më shumë se çdo gjë tjetër për këtë ndeshje flasin vetë shifrat. Kroacia fiton 3-0 dhe mban kreun e renditjes në grup, duke siguruar kalimin në turin tjetër.
Shqipëria e mbyll kështu me zero pikë, me zero sete të fituara dhe praktikisht si skuadra më e dobët e grupit. Kuptohet, stafi teknik i skuadrës kombëtare, Federata Shqiptare e Volejbollit dhe aktorët e tjerë të volejbollit kombëtar, ta analizojnë mirë këtë dështim dhe paraqitje mjaft të dobët që për traditën që ka volejbolli i femrave rezultate të tilla që dhembin.
Shqipëri – Kroacia 0-3
(15-25, 8-25, 14-25)
Shqipëria: Hasku, Xheka, Molla, Qershia, Fagu, Beshiri, Bego, Rexhepi, Kushi, Shehi, Dodani. Trajner: Altin Martiri
Kroacia: Sain, Stimac, Klariç, Pavicic, Butigan, Mlinar, Strunjak, Dumançiç, Fabris, Samadan, Brçiç, Cvetniç, Rajkoviç. Trajner: Daniele Santareli.
Gjyqtarë: Fuad Ahrajev (Azerbajxhan), Miklosh Horvath (Hungari).