AlbanianSport.com 09/01/2019 19:55
ASNN – “Telemaku” bllokon Greqinë por jo Fiorin Durmishajn, sulmuesi i shënon ekipit të Andi Lilës. Fiorin Durmishaj e tregoi dhe një herë veten në futbollin grek, ndërsa dje arriti t’i shënojë gol PAS Janinës, skuadër ku aktivizohet mesfushori tjetër i Kombëtares kuqezi, Andi Lila. Ndeshja përfundoi në barazim 1-1, ndërsa Durmishaj realizoi në minutën e 24-t me 11-metërsh golin e barazimit për ekipin e tij.
Duhet thënë se moti i keq ka paralizuar prej ditësh Greqinë qendrore e veriore, teksa stuhia me borë dhe acar është emërtuar nga autoritetet e emergjencave helene me emrin e personazhit mitologjik, “Telemaku”, i cili ishte biri i Odiseas, sipas veprës së Homerit. Por Durmishajn këtë herë nuk e ndali as “Telemaku” që të regjistronte një gol me peshë për ekipin e tij.
Sepse barazimi e mban në lojë Panioniosin për duelin e kthimit në kupë. Nga ana tjetër, Durmishaj është në projektin e Olimpiakosit për sezonin e ardhshëm dhe futbollisti madje ka ushtruar presion që të kalojë në radhët e gjigandëve të futbollit helen. Kjo pasi ai ka marrë vëmendje dhe nga klube nordike dhe nuk përjashtohet mundësia që në verë të kalojë në një kampionat jashtë Greqisë.
Ai është, gjithashtu, në projektin e trajnerit Kristian Panuçi për ndeshjet eliminatore të Kampionatit Evropian të vitit 2020.