AlbanianSport.com 09/01/2019 18:10
ASNN – Është mbyllur me 6 humbje në po aq ndeshje pjesëmarrja e Shqipërisë në fushatën eliminatore të Evropianit të 2019-ës në volejboll për femra, pasi vajzat kuqezi janë mundur në 3 sete nga Kroacia të mërkurën në mbrëmje në takimin e fundit të grupit B.
Kjo ndeshje, që u zhvillua në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” të Parkut Olimpik të Tiranës dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, nuk ka qenë ndryshe nga të tjerat për kombëtaren kuqezi të vajzave të rrjetës, të cilat, edhe në këtë takim të fundit nuk kanë arritur të marrin asnjë set, duke i mbyllur kështu këto eliminatore me 0 sete të fituara dhe 15 të humbura.
Duke shfrytëzuar mungesen e kapitenit kuqezi, Erblira Bici, por edhe qendrës Sava Thaka dhe organizatores Sindi Marina, trajneri italian i Kroacisë, Daniele Santareli ka zgjedhur të aktivizojë përgjatë gjithë ndeshjes formacionin e dytë të tij, duke u dhënë kështu minuta edhe lojtareve rezervë. Seti i parë i ndeshjes, që ishte edhe seti në të cilin vajzat kuqezi bënë njëfarë qëndrese, zgjati 21 minuta dhe u fitua nga kroatet 25-15.
Seti i dytë ishte një zhgënjim i jashtëzakonshëm, pasi vajzat e drejtuara nga trajnerët Altin Martiri dhe Roland Tarja, kanë shënuar vetëm 8 pikë përgjatë 20 minutave që zgjati ai. Seti i 3-të i cili ishte akoma më i shkurtër, teksa zgjati vetëm 18 minuta, u fitua nga kroatet 25-14, të cilat e morën gjithë ndeshjen 3-0 brenda një harku kohor prej vetëm 59 minutash.