AlbanianSport.com 09/01/2019 17:00
ASNN – Etapa e dytë e Dakarit ka patur si fitues Sebastien Lëb. Piloti francez ka sfiduar dunat e rërës duke dhënë kohën më të mirë. Pretendentët e tjerë kanë zhvilluar një garë për t’u harruar. Pas kësaj fitoreje Lëb ndodhet në vendin e 5-të në renditjen e përgjithshme. Kështu, Sebastien Lëbi ka fituar etapën e dytë të garës së Dakarit të këtij viti, duke kaluar në të gjithë sfidat e dunave të shkreta, pasi rivalët kryesorë Stefane Peterhansel dhe Naser al-Atijah patën një ditë për t’u harruar.
9-herë “kampioni” i kësaj gare, që nget një makinë private “Peugeot”, pas vendimit të prodhuesit francez të makinave për t’u tërhequr nga gara, arriti të jetë shumë i shpejtë gjatë kilometrave, ndërmjet Pisko dhe San Han de Markona. “Sot të gjithë arritën në rregull dhe ne ndihemi vërtet mirë”, – tha Lëbi, i cili ngjitet në vendin e 5-të, me 1 minutë e 56 sekonda diferencë. “Ne patëm strategjinë e duhur, garuam në mënyrë të mrekullueshme dhe nuk bëmë asnjë gabim”, – tha 44-vjeçari.
Holandezi Bernhard Brinke, që ngiste një Toyota, ishte i 3-ti, 1 minutë e 20 sekonda më vonë, ndërsa Zhiniel de Vijers i Afrikës së Jugut përfundoi i 4-ti për të marrë përsipër kryesimin e garës kur janë edhe 8 etapa për t’u zhvilluar. Francezi Peterhansel, i cili ka fituar Dakarin 6 herë në motoçikletë dhe 7 herë në një makinë, nuk e ka drejtuar mirë makinën e tij, duke përfunduar 15 minuta pas Lëbit. Etapa e 3-të është ajo 331 kilometra, kryesisht në duna, midis San Huan de Markonas dhe Arekipas.