AlbanianSport.com 09/01/2019 14:40
ASNN – Rei Manaj u dëmtua pak ditë më parë gjatë një përplasje me një lojtar të Granadës, në ndeshjen që Albasete e tij barazoi 1-1 me Granadën në ligën e dytë spanjolle. Ishte një dëmtim horror i Manajt, i cili përfundoi pa vetëdije në spital, teksa konfirmohet që ka dëmtuar rëndë nofullën si dhe ka thyer kockën e hundës. Sidoqoftë, Manaj ka folur për mediat spanjolle, duke thënë se në futboll përplasje të tilla ndodhin dhe ai nuk kishte asgjë me lojtarët kundërshtarë që kishin shkuar në spital për ta vizituar.
Më tej Manaj tha se e kishte falur lojtarin, Germanin, që e kishte qëlluar me shqelm në kokë, teksa uron që të kalojë sa më shpejt dëmtimin dhe të kthehet menjëherë në fushë për të dhënë ndihmën e tij për Albaseten. “Kanë ardhur për të më vizituar 5-6 shokë që i kam pasur në skuadër vitin e kaluar dhe u kam thënë se Germani nuk kishte faj, pasi në futboll këto janë gjëra që mund të ndodhin, – u shpreh Manaj për mediat spanjolle. – Kam dëmtuar dhëmbët dhe kam disa shenja që duan 7-8 ditë të hiqen, por mund të kishte përfunduar edhe më keq se kaq.”
“Nuk mbaj mend asgjë nga momenti i dëmtimit, por e kam parë videon në telefon dhe falënderoj Zotin që përfundoi me aq, – vijoi Manaj në rrëfimin e tij për mediat spanjolle. -Falënderoj tifozët e Albasetes për mbështetjen që më kanë dhënë gjatë kësaj kohe dhe ndjej se duhet të jem i gatshëm sa më shpejtë për të ndihmuar ekipin tim. Do të stërvitem që të luaj që të shtunën në ndeshjen e radhës, edhe pse është me rrezik. Megjithatë, po nuk rrezikove, nuk fiton asnjëherë.” Manaj konsiderohet një lojtar me të ardhme dhe në radhët e përfaqësueses kuqezi, madje në këtë sezon të ligës së dytë spanjolle ai ka shënuar 5 gola.
Një koeficient i mirë për një futbollist të ri dhe që luan për herë të parë me këtë ekip. Javët e fundi ai ka qenë përcaktues me Albaseten dhe Manaj shpreson që së bashku me skuadrën e tij të ngjitet në La Liga spanjolle sezonin tjetër.