AlbanianSport.com 08/01/2019 17:05
ASNN – Qendra Ndërkombëtare e Studimeve të Sportit (CIES) ka bërë një radhitje të futbollistëve më të shtrenjtë në botë, ku vendin e parë e zë padyshim talenti francez, 20-vjecari Kilian Mbape, që lë prapa futbollistë të kalibrit botëror si Nejmar, Harri Kejn, Dibala, Mesi etj. Në këtë listë, është përfshirë edhe Xherdan Shaqiri, i cili ka pasur një rritje të pabesueshme në harkun e një viti.
Ai ka bërë një kapërcim prej 40 milionë Eurosh në vetëm 6 muaj. Kështu, në janarin e vitit 2018 mesfushori shtatshkurtër i përfaqësueses së Zvicrës vlente vetëm 14.5 mln Euro, kurse sot vlera e tij ka shkuar në 53,2 mln Euro, pra afërsiht 40 mln Euro më shumë se një vit më parë. Kjo lidhet drejtpërdrejt me kalimin e tij në verë nga skuadra e Stoke Sitit që ra nga Premier Liga, në radhët e Liverpulit.
Kjo e fundit kryeson tanimë kampionatin anglez të futbollit. Ka qenë pikërisht paraqitja e tij e mirë me skuadrën e Jorgen Klop që ka sjellë këtë rritje fantastike, më e madhja për lojtarët e kombëtares helvete dhe një nga më të mëdhatë nga të gjithë lojtarët e përfshirë në vlerësim. Qendra në fjalë llogarit shtrenjtësinë e futbollistëve prej vitit 2013 dhe statistikat apo shifrat e dhëna prej saj janë serioze e të besueshme.
Pra Xherdan Shaqiri u shndërrua nga një futbollist normal mesatar në superyllin e Liverpulit. Imazhi i tij tek tifozët dhe në media në tërësi është mjaft pozitiv.