AlbanianSport.com 08/01/2019 14:20
ASNN – Të hënën, Federata Shqiptare e Basketbollit zyrtarizoi kalendarin e Kupës së Shqipërisë, si për meshkuj ashtu dhe për femra, duele që do të luhen gjatë këtij muaji. Në të dy gjinitë, ndeshjet e para do të nisin këtë të shtunë, me 12 janar 2019, dhe i përkasin turit paraeliminator. Tek meshkujt do të ketë dy përballje, që janë Flamurtari-Apolonia dhe Skënderbeu-Elbasani, kurse më 16 janar 2019, të mërkurën, do të përplaset fituesja e duelit të parë me Invajdërs dhe fituesja e duelit të dytë me “Tirana Eagles Basket”.
Fituesit që dalin nga këto përballje të datës 16 janar 2019, do të vijojnë të luajnë në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Edhe tek femrat ndiqet e njëjta procedurë, ku të shtunën, më 12 janar 2019, do të luhen takimet Apolonia-Partizani dhe Skënderbeu-Kamza. Ndryshimi i vetëm tek femrat, është se nuk do të ketë duele shtesë më 16 janar 2019, e, për pasojë, fituesit shkojnë direkt në çerekfinale, ndeshjet e së cilës, njëlloj si tek meshkujt, luhen më 23 janar 2019.
Kupa është një mundësi e mirë për skuadrat pretendente që të lakmojnë trofeun e dytë më të rëndësishëm sezonal në sportin e koshit. Natyrisht, pretendente janë pot ë njëjtat skuadrat që shihen favorite edhe në kampionat. Kuptohet që, për vetë formulën e saj, Kupa është një veprimtari më e shkurtër, me eliminime të drejtpërdrejta dhe në muajin shkurt shpallet edhe fituesi. Lëvizjet në këtë merkato dimri kanë peshë si në Kupë, ashtu dhe në kampionat, prandaj marrin rëndësi thelbësore në këtë fazë. Më poshtë jepet kalendari i ndeshjeve.
Kupa e Shqipërisë
Basketboll – Meshkuj
Turi paraeliminator:
12 janar 2019:
Ndeshja 1 – Flamurtari – Apolonia (13:00)
Ndeshja 2 – Skënderbeu – Elbasani (14:00)
Turi i parë:
16 janar 2019:
Ndeshja 3 – Invejdërs – Fituesja Ndeshja 1 (15:00)
Ndeshja 4 – Tirana Eagles Basket – Fituesja Ndeshja 2 (17:00)
Çerekfinalet:
23 janar 2019:
Goga Basket – Fituesja Ndeshja 3 (17:00)
Partizani – Fituesja Ndeshja 4 (18:00)
Teuta – Vllaznia (18:00)
Tirana – Kamza Basket (17:00)
Kupa e Shqipërisë
Basketboll – Femra
Turi i parë:
12 janar 2019:
Ndeshja 1 – Apolonia – Partizani (11:00)
Ndeshja 2 – Skënderbeu – Kamza Basket (12:00)
Çerekfinalet:
23 janar 2019:
SHKBF Tirana – Fituesja Ndeshja 2 (15:00)
SHBF Tirana – Fituesja Ndeshja 1 (15:00)
Flamurtari – Elbasani (12:00)
Vllaznia-Studenti (14:00)
Shënim: Shorti i gjysmëfinaleve hidhet më 28 janar 2019
në zyrat e Federatës Shqiptare të Basketbollit, në Tiranë