AlbanianSport.com 08/01/2019 13:25
ASNN – Vllaznia po zien gjatë këtyre ditëve të para të janarit, pasi emrat e spikatur të saj lakohen nga klubet e Kategorisë Superiores, si afrime të mundshme, por kësaj teme i dha fund drejtori i klubit shkodran, Ergin Firat, i cili jo vetëm sqaroi pozicionin e lojtarëve dhe të klubit në tërësi, por kujtoi njëherësh edhe bisedën që ka pasur me trajnerin Hasan Lika në lidhje me përforcimet e mundshme, sepse Vllaznia shpreson të bëjë merkato cilësore.
Duke folur për Rrjetin e Televizionit Shqiptar, Drejtori Teknik i Vllaznisë tha se për Malotën nuk do të ketë largim, madje ai bëri të qartë se lojtari mund të largohet vetëm në rast oferte nga sheikët në Emiratet e Bashkuara Arabë. “Është folur shumë për Malotën, – tha drejtori turk i kuqebluve, – ka vetëm thashetheme nuk ka asnjë ofertë, qoftë nga klubi i Kamzës apo Skënderbeut. Malota është një lojtar i rëndësishëm i Vllaznisë.”
“Dhe ai do të largohet vetëm nëse për të vjen një oferta nga Emiratet e Bashkuara Arabe ose një klub evropian, – ka vijuar Fërati. – Përsa u përket elementeve që mund të përforcojnë skuadrën kam folur me Hasan Likën, për të sjellë ndonjë lojtar të ri. Nëse do bëjmë afrime, do të na duhet të largojmë disa lojtarë, pasi nuk kemi financa të shëndosha. Kam folur me drejtorin Lici dhe kemi ndërmend të provojmë një sulmues algjerian, një mesfushor maqedonas e një shqiptar.”
Është e qartë tashmë se Vllaznia ndodhet në pozita pritjeje, për të studiuar situatën dhe ecurinë e rivalëve, pasi pozitat që ka në renditje i sigurojnë qetësi dhe vazhdimësi. Nga ana tjetër, edhe sipas asaj që parashtron drejtori teknik i veriorëve, Ergin Firat, Vllaznia nuk dëshiron të bëjë lëvizje të zakonshme, pasi në objektivat e saj është Kategoria Superiore dhe klubi kuqeblu dëshiron të bëjë blerje që të jenë gjithashtu të nivelit të Superiores.