AlbanianSport.com 08/01/2019 12:30
ASNN – Nga yll në Shqipëri në i panjohur në Belgjikë, karriera e Kristal Abazajt në udhëkryq. Klubi i Anderlehtit ka arritur një marrëveshje me sulmuesin shqiptar Kristal Abazaj për ta transferuar në pjesën e dytë të sezonit në një skuadër tjetër. Në fakt, me këtë ide ka rënë dakord edhe vetë futbollisti shqiptar, me idenë se në çfarëdo skuadre tjetër të shkojë do të ktë mundësinë të luajë, qoftë dhe në ligën e dytë belge.
Janë dy lojtarë të Anderlehtit që do të huazohen në këtë periudhë dhe përveç Abazajt është dhe Adxhiç. Të dy kanë pasur probleme me aktivizimin dhe për të mos rënduar më tej pozitat e lojtarëve që janë stërvitur me të rinjtë, klubi po përpiqet t’u gjejë skuadër ku të luajnë. Abazaj e ka pritur mirë këtë lajm, sepse beson se diku gjetkë do të marrë minutat e nevojshme që i duhen një futbollisti profesionist.
Por karriera e tij duket në udhëkryq. Lojtari nuk ka luajtur me ekipin e parë dhe është aktivizuar vetëm me të rinjtë. Vetëm pak minuta ka regjistruar si zëvendësues me skuadrën e parë të Anderlehtit, krejtësisht të papërfillshme për një futbollist që u largua nga Shqipëria si yll por është harruar në kampionatin belg. Abazaj ka nevojë për minutazh në këmbë, kjo është fare e qartë, prandaj lëvizja pritet me interes nga palët.
Por edhe pse Anderlehti do ta nxjerrë atë në treg në formë huazimi, deri tani asnjë skuadër nuk ka shprehur interes për shërbimet e sulmuesit shqiptar. Ish-futbollisti i Luftëtarit shkëlqeu sezonin e kaluar në Kategorinë Superiore dhe e ndihmoi mjaft ekipin gjirokastrit të arrinte një pozicion të tillë në klasifikim që i siguroi pjesëmarrjen për herë të parë në Ligën e Evropës. Tani karriera e tij duket në udhëkryq dhe e pasigurt.