AlbanianSport.com 07/01/2019 21:25
ASNN – Menaxheri i Elseid Hysajt, Mario Xhiufredi, ka sulmuardirekt trajnerin Karlo Ançeloti që nuk mund të luajë më me ndjenjat e mbrojtësit të përfaqësueses së Shqipërisë, pasi i duhet të marrë një vendim. Lënia në stol e Hysajt ka sjellë situatë të pakëndshme për të në gjirin e napolitanëve dhe rrjedhimisht janë hapur mundësitë e transferimit të futbollistit në një klub tjetër.
Problem mbetet klauzola e tij e lirimit prej 50 milionë Eurosh, por situata e fundit ka sjellë domosdoshmërinë e nisjes së bisedimeve. Në kushtet kur trajneri Karlo Ançeloti po preferon gjithnjë e më shumë mbrojtësit Malkuit (në krahun e djathtë) dhe Rui (në krahun e majtë të mbrojtjes), për Hysajn ka vend vetëm në stol dhe kjo situatë duket e papranueshme si për lojtarin dhe për menaxherin.
Ky i fundit po ushtron presion që të shihet me përparësi situata e Elseid Hysajt. Është gazeta italiane “Il Messaggero”, e cila zbulon një detaj interesant nga klubet e interesuara për Hysajn. Krejt ndryshe nga sa dihej në fillim, që Çellsi i Mauricio Sarrit shihej si destinacioni i ri i tij, mësohet nga e përditshmja në fjalë se Hysaj është në “radarët” e Lacios dhe për këtë ka peshë interesimi i shqiptarit Igli Tare.
Nga ana tjetër, edhe rivalja e Lacios në kryeqytetin italian, Roma, ka shprehur interes për lëvizjen e futbollistit shqiptar, por jo në këto përmasa dhe nuk shihet si alternativë e besueshme për shkodranin. Megjithëse pista më e besueshme dhe më e mundshme për lëvizje është ajo në drejtim të Premier Ligës, pra tek Çelsi i Sarrit, nuk duhet neglizhuar futja në lojë e Igli Tares.
Ish-futbollisti dhe kapiteni kuqezi po sheh mundësinë që futbollisti i përfaqësueses së Shqipërisë të angazhohet tek Lacio, një rivale e fortë e Napolit në Serinë A. Problemi i një transferimi brenda për brenda Italisë është i koklavitur, sepse klauzola e Hysajt me Napolin nuk lejon kalimin nën 50 milionë euro tek një skuadër rivale për trofe në kampionatin italian.