AlbanianSport.com 25.11.2014 20:25
ASNN – Lezhjanët nisin të vlerësojnë përballjen e kësaj jave ndaj Ilirisë së Fushë-Krujës. Trajneri Bardhi: “Skuadra është në rrugë të mbarë nga ndeshja në ndeshje dhe kjo duket nga rezultatet”. Skuadra lezhjane, gjithnjë sipas statistikave, ka shënuar më shumë se çdo skuadër tjetër në Kategorinë e Parë në grupin e Veriut.
Trajneri i Besëlidhjes, Sinan Bardhi, është shprehur i kënaqur me rezultatet e skuadrës dhe, duke folur për gazetat sportive të ditës, ka deklaruar: “Ne jemi në rrugë të mbarë, skuadra është duke kaluar momente të mira. Është në rritje nga ndeshja në ndeshje dhe jam i bindur se do ta rrisim dhe më tepër nivelin e lojës sonë si skuadër.”
“Ndeshjen tjetër do të përballemi me një skuadër të fortë si Iliria, forca e së cilës është dukur dhe në përballjen me Mamurrasin, kur ka barazuar 0-0 në Fushë-Krujë, – ka vijuar ai. – Ne do ta vlerësojmë shumë këtë ndeshje, sepse në fund të fundit kemi dhe ndeshje të vështira më pas.”
“Dhe finalja do të jetë ndeshja jonë me Mamurrasin, skuadra më e fortë e grupit”, – ka përfunduar trajneri i Besëlidhjes, Sinan Bardhi.