AlbanianSport.com 06/01/2019 17:35
ASNN – Beshiktashi nis kontaktet me Berat Gjimshitin, mbrojtësi kuqezi një hap pranë klubit turk. Mbrojtësi i përfaqësueses së Shqipërisë, Berat Gjimshiti, ndodhet në bisedime me klubin e madh turk, Beshiktash, bisedime që mund të konkretizohen me një marrëveshje në ditët në vijim. Shkak për nisjen e bisedimeve është bërë një largim i rëndësishëm nga radhët e klubit turk, sikurse është portugezi Pepe.
“Berat Gjimshiti, mbrojtësi i Atalantës, është në “radarët” e gjigandes turke, Beshiktashit. Kjo të fundit kërkon dy mbrojtës në merkato dhe e shikojnë shqiptarin si zëvendësuesin perfekt të Pepes, pas largimit të këtij të fundit”, shkruan media turke “Fotospor”. Nuk është vetëm Pepe që dëshiron të largohet, pasi mediat turke raportojnë dhe për mbrojtësin kroat Demagoj Vida.
Ai flitet të jetë gjithashtu një hap larg “divorcit” me Beshiktashin. Në këto rrethana, për Berat Gjimshitin mund të ishte një mundësi e madhe të luante titullar, megjithëse Atalanta në Serinë A mbetet klub më elitar dhe në një kampionat më të fortë. Bisedimet kanë nisur tashmë dhe mbetet vetëm të shihet përfundimi i tyre. Natyrisht, gjithçka do të fokusohet rreth kushteve financiare.
Sepse, një ofertë e mirë në aspektin financiar mund të tundojë Gjimshitin të kalojë në Superligën e Turqisë, me klubin e njohur të Stambollit, i cili ka pasur progres të rëndësishëm vitet e fundit.