AlbanianSport.com 06/01/2019 16:40
ASNN – Për njerëzit e fiksuar pas pijes dhe të lidhur me të në mënyrë të pashmangshme kanë plot epitete, por shprehja më kuptimplote do të ishte “vesi del me shpirtin”. Kjo mund të shërbejë dhe për sulmuesin e njohur anglez, Uejn Runi, i cili i dhënë pas pijes shihet shpesh i dehur në ambientet publike. Një vit më parë atij iu hoq patenta në Angli për drejtim automjeti në gjendje të dehur dhe iu caktuan 100 orë pune të detyrueshme në komunitet.
Kurse së fundmi është shfaqur me sjellje rrogaçërore dhe tërësisht i dehur në aeroportin e Uashingtonit, duke shkaktuar siklet për punonjësit, duke detyruar policinë amerikane ta arrestojë. Ngjarja ka ndodhur më 16 dhjetor në SHBA, në aeroportin në fjalë, teksa arrestimi ka ndodhur për “intoksikim në publik dhe sharje që shkaktojnë fyerje”. Në fakt, në SHBA, sharjet në publik dhe gjendja e dehur cilësohen si shkelje e nivelit të katërt, pra një krim i rëndomtë.
I dehur, pothuajse i pavetëdijshëm, ai u arrestua, iu morën shenjat e gishtave, bëri procedurën rutinë në komisariatin amerikan dhe më pas u la i lirë. Por që të lihej i lirë iu desh të paguante 25 dollarë amerikanë për shkelje dhe 91 dollarë për kundravajtje. Është një gjobë modeste për një lojtar që fiton miliona, por për imazhin e sportistit kjo ka qenë mjaft e rëndë. Sic dihet, Uejn Runi është pjesë e DC Junajtid, skuadër me të cilën ka luajtur vite më parë edhe sulmuesi shkodran i kombëtares kuqezi, Hamdi Salihi.
Ish-sulmues i Mançester Junajtid dhe Evertonit, Uejn Runi, aktualisht po vuan një ndëshkim njëvjeçar për të mos nisur makinën, pasi u arrestua në Angli teksa drejtonte makinën e tij nën efektin e alkoolit.