AlbanianSport.com 06/01/2019 15:45
ASNN – Kuqezinjtë e vegjël do të kenë një turne të rëndësishëm këto ditë në Turqi, ku ndodhen për një aktivitet të veçantë të quajtur “Kupa e Egjeut 2019 – Mercedes Benz”. Në fakt, nuk do të grumbullohet vetëm skuadra e Nën-17-vjeçarëve, por edhe ajo e 19-vjeçarëve. Për të parët është një takim simbolikisht i “G-8”-ës, një moment ku kuqezinjtë e rinj mund të tregojnë vlerat e tyre përballë kundërshtarëve shumë të fortë.
“Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron t’ju njoftojë se nesër, më 7 janar 2019, ditën e hënë, në ora 10:00, në mjediset e FSHF-së në Tiranë do të zhvillohen konferencat për shtyp të trajnerëve të Kombëtareve të Nën-19-vjeçarëve dhe Nën-17-vjeçarëve, Nevil Dede dhe Elvin Beqiri, në kuadër të grumbullimeve që këto dy përfaqësuese moshash fillojnë këtë javë”, – shkruhet ndër të tjera në njoftimin e FSHF-së.
“Kombëtarja Nën-17-vjeçarëve do të marrë pjesë në “Kupa e Egjeut 2019 – Mercedes Benz”, – vijon njoftimi i FSHF-së, – turne ky që organizohet nga Federata Turke e Futbollit. Në këtë turne marrin pjesë 8 skuadra përfaqësuese, të ndara në dy grupe. Shqipëria e Nën-17-vjeçarëve bën pjesë në grupin B së bashku me Spanjën, Rusinë dhe Maqedoninë.
Në grupin A bën pjesë Turqia, Anglia, Azerbajxhani dhe Moldavia. Ndeshjet zhvillohen në 14, 15 dhe 17 janar 2019.” “Kombëtarja e Nën-19-vjeçarëve do të zhvillojë një mini-fazë stërvitore të kombinuar me disa ndeshje miqësore gjatë grumbullimit në kompleksin “Tropikal” në Durrës”, – përfundon njoftimi për shtyp i Federatës Shqiptare të Futbollit.
Turneu në Turqi është një moment i mirë për Shqipërinë e Nën-17 vjeçarëve që të tregojë vlerat e saj, por, njëherësh dhe për trajnerin e ri, Elvin Beqiri, që të nisë mbarë aventurën e tij në krye të kësaj skuadre.