AlbanianSport.com 05/01/2019 20:50
ASNN – Me mungesa të rëndësishme në formacion, ku evidentohej mungesa e lojtares kryesore, Erblira Bici, por edhe mungesa e Sava Thakës, Shqipëria në volejboll për femra nuk pati asnjë shans të dilte e fituar nga kjo përballje e së shtunës me Austrinë. Ishte një ndeshje që mbaroi “tak-fak”, pa kurrfarë interesi dhe për vajzat kuqezi ishte si një duel pa objektiva dhe aspak motivues.
Kjo dhe për faktin se Shqipëria nuk kishte asnjë shans të kualifikohej në Evropian. Seti i parë përfundon pa shumë histori me shifrat 25-13, ndërsa i dyti akoma më thellë, me rezultatin 25-9, një set ku epërsia e vajzave austriake ishte e tillë që dukej sikur po stërvitej në parket. Në setin e tretë vajzat e trajnerëve Altin Mërtiri dhe Roland Tarja u përpoqën të baraspeshonin lojën dhe në fillim patën një rivalitet të spikatur.
Rivalitet që shkoi deri në pikën e 10-të, por më pas austriaket nisin marshimin e zakonshëm dhe e fitojnë setin 25-20. Një fitore e merituar për vendaset 3-0, fitore që u jep shpresë austriakeve, por vendin e parë në grup e mban Kroacia, e cila në pesë ndeshje ka korrur 5 fitore. Dhe pikërisht me kroatet do të përballet përfaqësuesja kuqezi ditën e mërkurë.
Në përfundim mund të thuhet se përfaqësueset shqiptare të meshkujve dhe të femrave në volejboll dështuan të kualifikohen në Evropian. Pavarësisht dëshirës së mirë, për përfaqësueset kuqezi kërkohet ende punë, më shumë investim dhe më shumë kushte nga Federata Shqiptare e Volejbollit. Asnjëherë nuk do të arrihet në destinacionin e kërkuar nëse nuk vlerësohen kundërshtarët si duhet, nëse nuk ka organizim perfekt dhe punë gjithëvjetore të studiuar.
Austri – Shqipëri 3-0
(25-13, 25-9, 25-20)