AlbanianSport.com 05/01/2019 17:10
ASNN – 5 janari i vitit 1974, ka hyrë në historinë e volejbollit shqiptar, si një ndër datat më të lavdishme për historinë e rrjetës së klubeve. Në Pallatin e Sportit që asokohe mbante emrin e skuadrës së kuqe, “Partizani”, volejbollistët e Partizanit, mundën bindshëm me lojë dhe rezultat kampionen e Italisë Ruinin e Firences, me shifrat 3-1 (15-12, 15-6, 13-15, 15-6), në takimin e zhvilluar në kuadër të çerekfinaleve të Kupës së Kampioneve. Ka qenë një ndeshje historike për gjithë volejbollin shqiptar, i cili tregoi se mund të fitonte ndaj çdo ekipi të fortë evropian, të lindjes ose perëndimit.
Ishte një Partizan madh, i ndërtuar nga mjeshtëri i volejbollit të Partizanit, i ndjeri Andon Kona. Partizani ishte “kampion” i Shqipërisë i vitit 1973, duke triumfuar ndaj Dinamos së madhe, e cila ishte gjithashtu një skuadër e kalibrit evropian asokohe. Pra, Partizani triumfonte brenda vendit ndaj Dinamos, por tregonte “dhëmbët” edhe në Evropë. Një skuadër e kuqe, me yje të tillë si Dashamir Fagu, Ylli Tomorri, Vlash Macaj, Robert Borova, Pirro DervishI, Ylli Lulushi, Gjergji Mariani Treska, Koço Stefani, Enver Duravaku, Roland Lako, Rudi Merkaj, Agron Merkaj.
Shto këtu edhe praninë e të madhit dinamovit Asllan Rusi (emrin e të cilit do të merrte vite më vonë ai pallat sporti), që huazohej “përkohësisht në ndeshje ndërkombëtare, si dhe të volejbollistit të madh të Labinotit, Hysen Domi. Ky Partizan, i vitit 1973-1974, çuditi të gjithë specialistët italianë për formën që tregoi. Madje askush nuk e kishte parashikuar se Partizani i Shqipërisë mund të gjunjëzonte një super-ekip si Ruini i Firences që kishte disa volejbolliste të përfaqësueses “axurre” dhe 5 tituj “kampion” në Itali.
Padyshim një fletë e artë historie për Partizanin e volejbollit të meshkujve, që tani, me një nga personazhet e asaj kohe, Ylli Tomorri, tanimë si trajneri po përpiqet të ngrihet sërish në ato nivele.