AlbanianSport.com 05/01/2019 16:15
ASNN – Sulmuesi i Kombëtares kuqezi, Armando Sadiku, do të largohet në fund të janarit nga ekipi i Levantes në kampionatin spanjoll, me një destinacion të ri me gjasë jashtë Spanjës. Nuk është përcaktuar ende ekipi i ri i tij, por besohet se bisedimet me disa klube në Zvicër dhe Holandë kanë nisur tashmë. Problem i vetëm për futbollistin është koha e gjatë e dëmtimit.
Dhe ai mund të bëhet për të luajtur në fushë vetëm në fund të muajit shkurt. Në të vërtetë, sulmuesi elbasanas ka ditë që e ka nisur stërvitjen, por ka bërë stërvitje të diferencuar. Ai ende nuk është në maksimumin e tij dhe kjo e penalizon edhe në merkato. Sidoqoftë, Lugano në kampionatin zviceran ia di vlerat dhe e ka shprehur hapur interesimin për të,
Ndërsa flitet se është dhe një skuadër holandeze e cila ka nisur kontaktet me menaxherin e tij. Nga brenda Spanjës, interesim për sulmuesin kuqezi ka shprehur vetëm Granada në ligën e dytë (Segunda Divizion), por të gjitha këto janë alternativa të përmendura në media e aspak bisedime zyrtare. Sidoqoftë, ajo që mediat spanjolle e bëjnë fakt të kryer ka të bëjë me “divorcin” e Sadikut me Levanten.
Një ndarje që, në fakt, shihet e pashmangshme. Mbetet vetëm të mësohen kushtet e largimit dhe mënyra e transferimit në një skuadër të re. Sa i përket Kombëtares, Sadiku shpresohet të jetë rikuperuar plotësisht në muajin mars, kur nisin edhe takimet e para zyrtare në kuadër të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian të vitit 2020. Sadiku është lojtari më efikas i sulmit kuqezi për sa i takon koeficientit të realizimit.
Sepse ai ka shënuar 11 gola në 30 ndeshje dhe nëse rikuperohet plotësisht do të jetë një armë e fortë e Kombëtares kuqezi, që drejtohet prej trajnerit italian, Kristian Panuçi.