AlbanianSport.com 03/01/2019 22:40
ASNN – Heshtja që rrethon mbi statusin e legjendës së Formula 1, Mikael Shumaker është krejtësisht e kuptueshme, ka thënë mësuesi i tij tek “Benetton”-i dhe “Ferrari”, Ros Braun, për Agjencinë Franceze te Lajmeve, AFP. 7 herë kampioni i botës, një rekord që qëndron ende në fuqi, ka mbushur 50 vjeç të enjten, por miliona tifozët e tij nuk janë ende në dijeni për gjendjen e tij shëndetësore.
Shumakeri, i cili fitoi 91 Çmime të Mëdha (Grand Prix) gjatë karrierës së tij në Formula 1, është duke u kuruar në shtëpinë e tij pranë Liqenit të Gjenevës në Zvicër. Privatësia e tij është ruajtur me zell nga bashkëshortja e tij, Korina. “Unë jam vazhdimisht në kontakt me Korinën dhe pajtohem plotësisht me vendimin e tyre,” – tha Brauni, i cili është një nga ata pak njerëz të njohur që e kanë vizituar Shumakerin.
“Mikaele ka qenë gjithmonë një person shumë privat dhe ky ishte një parim udhërrëfyes në karrierën e tij, jeta e tij dhe familja e tij gjithmonë ranë dakord me atë zgjedhje, – theksoi ai. – Unë jam i sigurt se miliona njerëz që janë ende tifozë të Mikaelit duhet ta kuptojnë atë, gjithashtu”. Datëlindja e Shumakerit do të shënohet nga “Ferrari”, me një ekspozitë të veçantë me titull “The Michael 50”.
Në ekspozitë do të lejohet publiku për të parë gjithë kontributin që Shumakeri dha me “Ferrarin”.