AlbanianSport.com 03/01/2019 21:45
ASNN – Ky vit do të jetë përcaktues për kualifikimin për në fazën finale të Kampionatit Evropian të Futbollit të vitit 2020. Shqipëria është vendosur në grup me skuadra shumë të forta si Franca, kampione e botës, por edhe me ekipe si Islanda dhe Turqia, që janë rivalet kryesore të kuqezinjve, por edhe një ekip jo i lehtë si Moldavia. Në fund është Andorra, një skuadër që luan thjesht për pjesëmarrje. Në mars nisin ndeshjet e para në grup dhe, nën drejtimin e trajnerit Kristian Panuçi, lojtarët kuqezi synojnë të sigurojnë kualifikimin në finalet e Evropianit të ardhshëm.
Në kuadër të këtyre ndeshjeve të gjitha repartet kanë rëndësinë e tyre, por është fakt evident që mesfusha ka çaluar dhe shkak janë bërë ndryshimet e shpeshta të lojtarëve, paqëndrueshmëria e prezantimit të tyre, dëmtimet etj. Sidoqoftë, në këtë repart trajneri Panuçi do të synojë krijimin e një grupi bërthamë që të përballojë eliminatoret. Por ndryshe nga përfaqësueset e tjera, Shqipëria ka një repart mesfushe me lojtarë që kanë pak pasime goli tek skuadrat ku aktivizohen në kampionatet e ndryshme evropiane. I vetmi futbollist që bën diferencë është Ledian Memushaj.
Në 17 ndeshje të luajtura në Serinë B italiane, ai ka dhënë 7 pasime për gol, që do të thotë është përcaktues si mesfushor dhe fantazist për skuadrën e tij të Peskarës në ligën e dytë italiane. Madje Memushaj është një prej futbollistëve me më shumë pasime në Serinë B, duke qenë lojtar “kampion” në këtë drejtim. Vlonjati po kalon një moment të mirë dhe shpresohet të ndihmojë edhe Kombëtaren në eliminatoret e radhës. Në veçanti, Memushaj bën diferencë krahasuar me lojtarët e tjerë mesfushorë të përfaqësueses kuqezi.
Kështu, Migjen Basha, që shquhet si lojtar teknik, nuk ka dhënë asnjë pasim për gol në kampionatin helen për Arisin e Selanikut. Eros Grezda, që është me tipare pothuajse krejtësisht sulmuese, ka regjistruar 2 pasime për gol, kurse Taulant Xhaka ka vetëm një pasim të tillë. Ermir Lenjani është në kufirin e 2 pasimeve vendimtare, kurse më i pranueshëm është Emanuele Ndoji, me Breshian në Serinë B të Italisë, që ka dhënë 3 pasime goli. Lojtarët e tjerë kanë maksimumi 1 ose 2 pasime, por ka dhe të tjerë që s’kanë regjistruar ende statistikë serioze në fushë.
Pra Memushaj është “mbret” i pasimeve për gol, njëherësh lojtar që krijon më shumë lojë përcaktuese për rezultat tek skuadra e tij, Peskara. Lojtarët e tjerë të Kombëtares as nuk i afrohen shifrave të Memushajt si pasues i saktë dhe si organizator loje.