AlbanianSport.com 03/01/2019 19:55
ASNN – Botërori i Klubeve është një tjetër veprimtari e madhe sportive që është në planet e FIFA-s për t’u zhvilluar. Por ende drejtuesit e organizmit më të madh të futbollit ndërkombëtar janë duke biseduar për të konkluduar mbi disa pika kyçe përsa i përket kësaj veprimtarie. “Jemi duke punuar për të përshtatur disa ndryshimeve, – ka thënë Zvonimir Boban, ish-kapiten i Kroacisë, ish-futbollisti i Milanit dhe tashmë Zëvendës-Sekretar i Përgjithshëm i FIFA-s, gjatë qëndrimit të tij në Dubai, ku drejtuesit e FIFA-s janë duke zhvilluar disa takime me organizatorët e Botërorit të futbollit 2022.
“FIFA ka disa detyrime dhe detyra: duhet të mendojë për klubet, sepse janë pjesa thelbësore e gjithë sistemit”, – pohoi kroati. FIFA ka krijuar një projekt-ide përsa i përket mënyrës së organizimit të Botërorit të klubeve. “Ideja është që kjo veprimtari të luhet çdo 4 vite, – ka sqaruar Bobani. – Skuadrat do të jenë të ndara në 8 grupe me nga 3 skuadra. Si dhe botërori i klubeve do të zhvillohet në një shtet tjetër nga ai që është përcaktuar për t’u luajtur Botërori i përfaqësueseve.” Për këtë janë marrë mendimet e trajnerëve dhe vetë futbollistëve të klubeve.
Sepse ata do të jenë protagonistë të kësaj veprimtarie madhore. Kërkesa kryesore e tyre ka qenë që të mos shtohet numri i ndeshjeve në vit. “Kam folur me trajnerët dhe lojtarët, të cilët kanë kërkuar të mos rritet numri i ndeshjeve. Jemi duke punuar për këtë. Ndërsa duke zhvilluar këtë turne çdo katër vjet, krijohet një mundësi për ta organizuar mirë sezonin”, – ka theksuar ish-futbollisti. Sidoqoftë, mbeten ende për t’u qartësuar edhe disa detaje të tjera të turneut. Periudha e zhvillimit, duhet gjetur një vit që të mos rastistë në të njëjtën kohë me Botërorin e përfaqësueseve ose Evropianin, kohëzgjatja, etj.
Për këto, Zëvendës-Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Zvonimir Boban, tha se janë duke i parë dhe diskutuar e shumë shpejt do të paraqesin një plan të qartë për mënyrën e organizimit të klubeve.