AlbanianSport.com 30/12/2018 22:30
ASNN – Gugash Magani mund të jetë trajneri i ri i Besës. 53-vjeçari nga Peqini do të zëvendësojë Gentian Begejën në stolin e verdhezinjve, për pjesën e dytë të këtij sezoni të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Ende asgjë nuk është bërë zyrtare, por sipas burimeve pranë klubit kavajas, presidenti Bizhdili ka nënshkruar tashmë një marrëveshje me trajnerin Magani.
Mbetet për t’u zyrtarizuar në ditët e para të janarit 2019. Në përfundim të fazës së parë, Besa u rendit në vendin e dytë në grupin B, me 26 pikë, pas Bylisit që kryeson me 30 pikë. Por duket se kjo gjë nuk i ka pëlqyer presidentit Bizhdili, i cili ka pretendime për ta rikthyer skuadrës që drejton në Superiore. Ndaj ka menduar që pjesën e mbetur të kampionatit t’ia besojë trajnerit të mirënjohur tashmë, Gugash Magani.
Peqinasi rikthehet në krye të Besës pas 6 vitesh, kur e ka drejtuar skuadrën verdhezi për periudhën 2011-2012. Magani është i njohur në kampionatin shqiptar pasi ka drejtuar edhe skuadra të tjera si Shkumbinin, Flamurtarin, Tiranën dhe Teutën. Ndërsa për një sezon ka qenë në krye të Trepça ’89.
Besa ka barazuar me Orikun 0-0, në ndeshjen e fundit të gjysmës së parë të sezonit aktual të Kategorisë së Parë. Kjo sfidë u luajt në Stadiumin “Besa”. Ky barazim nuk u ka vlejtur shumë kavajasve, pasi në rast fitoreje, afroheshin më shumë me Bylisin kryesues të grupit B. Në nisjen e gjysmës së dytë të sezonit, më 2 shkurt 2019, Besa do të udhëtojë drejt Elbasanit, që mban vendin e parafundit në renditje.