AlbanianSport.com 29/12/2018 21:25
ASNN – Viti 2018 që lëmë pas nuk shënoi ndonjë arritje të rëndësishmepër futbollin shqiptar. Në kampionat, titullin e fitoi Skënderbeu, por sikletet që ia bëri “dhuratë” UEFA, me dënimin 10-vjeçar të mbetur pezull për trukim ndeshjesh, si dhe një gjobë 1 milion Euro, sollën një situatë kaotike që po e mban në ankth ekipin korçar dhe të ardhmen e tij. Çështja është për gjykim në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës (CAS), e cila pritet të marrë një vendim përfundimtar në mars të 2019-ës.
Sidoqoftë, ishte meritë e trajnerit Ilir Daja, që ia doli të shpallet “kampion” e në të njëjtën kohë të drejtojë Skënderbeun një vit më parë në Ligën e Europës, pikërisht në fazën e grupeve. Por këto copëza suksesi i përkasin një “epoke tjetër”. Trajneri tani ndodhet në Vlorë, me objektiv për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Evropës me Flamurtarin. Do ta ketë të vështirë, jo vetëm për shkak të rivalitetit me kundërshtarët, por dhe problemet e brendshme, ku dyshimet janë për krizë financiare dhe mospagimin e lojtarëve.
Nga të gjithë trajnerët e tjerë të Superiores, padyshim është për t’u vlerësuar Bledi Shkëmbi, në krye të Teutës, që ka siguruar një profil të lartë prezantimi, duke befasuar tërësisht me rezultatet e tij. Skuadra durrsake prej vitesh endet në zonën e mbijetesës, por këtë vit ka shanse për trofe, më e pakta për të qenë pjesëmarrëse në Ligën e Evropës. Ndryshe nga të gjithë teknikët e tjerë, Shkëmbi aplikon një skemë loje sulmuese.
Dhe falë taktikave të tij skuadra ka ditur të jetë më efikase se rivalët në Superiore, pasi ka shënuar 24 gola, shumë më tepër se Partizani dhe Kukësi që mbajnë dy vendet e para. Nga ana tjetër, Shkëmbi ka ditur të harmonizojë lojtarët me eksperiencë me ata të rinj, një ekuilibër që i ka sjellë efikasitet ekipi durrsak. Tek “Djemtë e detit” ka harmoni, ka kualitet, ka forcë dhe vetëbesim. Pra Teuta e Shkëmbit është surpriza më e madhe e futbollit shqiptar gjatë 2018-s.
Vetë Shkëmbi meriton të konsiderohet trajneri më i mirë për këtë vit. E ndërsa Shkëmbi ka befasuar, trajneri i Kombëtares Kristian Panuçi ka dështuar totalisht. Kreu i FSHF-së Armand Duka i bëri një “dhuratë” italianit, duke e mbajtur në krye të përfaqësueses kuqezi, pavarësisht dështimit të tij në Ligën e Kombeve. Nga 4 ndeshje të luajtura në Ligën C të këtij turneu rishtor, Panuçi mori një fitore, me Izraelin 1-0, dhe vijoi të pësonte 3 humbje.
Dy me Skocinë, një me rezultatin 0-2 në Gllasgou, pastaj në Shkodër 0-4, si dhe një ndaj Izraelit 0-2). 1 gol i shënuar dhe 8 të pësuar, statistika të frikshme që nuk kishin ngjarë me Kombëtaren prej shumë e shumë vitesh. Më herët gjatë vitit, Panuçi pësoi disfata të njëpasnjëshme në miqësoret ndaj Norvegjisë, Ukrainës, Kosovës. Që kur mori drejtimin e Shqipërisë, në 14 ndeshje në krye të kuqezinjve, Panuci ka marrë 4 fitore, 2 barazime e 8 humbje, duke pasur vetëm 28% fitore.
Shifra këto shumë larg rezultateve të paraardhësit dhe bashkatdhetarit të tij, Xhovani De Biazit, që ishte gati 50 % të ndeshjeve fitore. E megjithatë kreu i FSHF-së, Duka, e votëbesoi Panuçin, duke ia lënë Kombëtaren ta drejtojë dhe për Eliminatoret e Kampionatit Evropian të vitit 2020.