AlbanianSport.com 28/12/2018 23:35
ASNN – Xhon Barnsi hap debat të nxehtë me Xherdan Shaqirin: S’e meriton të jetë në formacionin e Liverpulit. Xherdan Shaqiri la gjurmën e tij me një gol me vlerë në fitoren e fundit të Liverpulit 4-0 ndaj Njukasëllit, duke marrë gjithmonë e më shumë vlerësime nga trajneri Jurgen Klop. Sa i takon tifozerisë, në çdo sondazh të saj në Internet del që Shaqiri të jetë më i vlerësuari dhe një futbollist që duhet të jetë me patjetër në formacionin bazë.
Aq shumë e duan tifozët Shaqirin sa i ushtrojnë trysni trajnerit gjerman Klop ta aktivizojë titullar në çdo ndeshje. Por nuk ndan të njëjtin mendim ish-mesfushori i njohur i Liverpulit, Xhon Barns, i cili ka deklaruar me kokëfortësi se Shaqiri mund të jetë titullar vetëm në ndeshjet e dorës së dytë, ose ndaj skuadrave shumë të dobëta. Sipas tij, shqiptari shtatshkurtër nuk duhet të jetë në formacionin kryesor të Liverpulit. Gjithmonë sipas tij, emrat që ka në përbërje Liverpuli nuk e lejojnë Shaqirin të jetë në 11-shen e parë.
Barns nuk i merr parasysh 3 pasimet për gol dhe 6 golat e realizuar nga “xhuxhi” shqiptar për skuadrën e Klopit në kampionatin anglez, madje gola me mjaft peshë. “Ai është duke tentuar që të futet në 11-she, – tha në mënyrë prepotente Barnsi, i cili shkakton kështu një debat të gjerë e të dëmshëm për futbollistin shqiptar, – por nëse e shikoni 11-shen më të mirë të Liverpulit, ai nuk do të ishte aty. Kur luan kundër ekipeve më të vogla, ai mund të luajë përpara dy mesfushorëve.”
“Mane, Salah, Firmino, ai nuk mund ta largojë asnjërin prej tyre nga formacioni, – ka vijuar ish-futbollisti. – Ai mund të luajë edhe në treshen e sulmit ndaj ekipeve më të dobëta.” Pra Shaqiri po kundërshtohet nga disa ish-futbollistë të Liverpulit. Megjithatë, statistikat janë në krah të tij. Edhe pse me minutazh të kufizuar në 14 ndeshjet e aktivizuara, ai ka statistika më të mira se Firmino, Mane e shumë të tjerë, duke u radhitur menjëherë pas yllit të ekipit, Mohamed Salah.
Epërisa tjetër e tij janë tifozët. Loja e “Shaqës” pëlqehet së tepërmi nga tifozët, që e duan në fushë, por në krah të shqiptarit nga Kosova është dhe vetë trajneri Jurgen Klop.