AlbanianSport.com 28/12/2018 21:45
ASNN – Rei Manaj nuk do t’ia dijë për festa, i vetmi që nuk e braktis “Andres Injestën”. Shumë kampionate në Evropë kanë marrë “pushimet” dhe po shijojnë festat e fundvitit. Në fakt, klubet kryesore në Perëndim kanë lënë ditë pushimi për lojtarët për Krishtilindje, duke i lënë të lirë lojtarët të shijojnë me familjet e tyre. Por në Spanjë një lojtar i ka çuditur të gjithë. Dhe ai është shqiptar.
Rei Manaj ka preferuar të stërvitet dhe ka zgjedhur qendrën stërvitore “Andres Injesta” për të mbajtur formën sportive. Në fakt, klubi i Albasetes kishte akorduar disa ditë pushim për ekipin, ndërsa Manaj ka preferuar që të stërvitet rregullisht në këto momente. Ai ka postuar foto nga momenti i stërvitjes, duke falënderuar edhe përgatitësin atletik të skuadrës që i ka qëndruar pranë.
Në fakt, Manaj kishte kërkuar nga klubi që lojtarët të mos pushonin gjatë dhe kishte kërkuar që të ktheheshin më datën 27 dhjetor në stërvitje. Por kjo nuk iu miratua nga klubi, i cili i lejon lojtarët të kthehen në stërvitje më 30 dhjetor. Sidoqoftë, shqiptari zgjodhi të stërvitet pa pushim, duke dhënë shembullin e punës dhe të përkushtimit në seancat stërvitore. Pak ditë më parë, ishte goli i Manajt që i dha fitoren Albacetes në ligën e dytë spanjolle.