AlbanianSport.com 28/12/2018 19:00
ASNN – Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ishte të enjten në Korçë ku dekoroi një sërë figurash të nderuara të qytetarisë, kryesisht figura të nderuara të sportit korçar. Ishte një ceremoni emocionuese, pasi u dekorua edhe ish-atletja e madhe e vrapimeve të mesme Pavlina Evro. Vetë presidenti u shpreh i emocionuar nga dekorimi i figurave të sportit korçar, të cilëve u akordoi “Urdhrin e Kalorësit të Skënderbeut”.
“Në ‘Parisin e vogël’, Korçën e serenatave, dashurisë, qytetarisë, arsimit dhe atdhedashurisë, – shkruan kreu i shtetit shqiptar në një postim në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, – pata nderin të vlerësoja disa nga legjendat e sportit korçar, por edhe atij kombëtar, të cilët kanë shkruar historinë më të ndritur të klubit “Skënderbeu” në të gjitha disiplinat.”
Ai ia ka akorduar këtë “Urdhër” futbollistit të shkëlqyer dhe të papërsëritshëm, Teodor Vaso, golashënuesit të shquar, Dhimitraq Xhambazi, portierit të “ajrit”, Koço Dinella, trajnerin e papërtuar të atleteve shqiptare, Piro Kasati, kampionen e dimensioneve evropiane dhe “mbretëreshën” e atletikës, Pavlina Evro, simbolin e volejbollit shqiptar, Tamara Nikolla, si dhe basketbollisten e jashtëzakonshme Zamira Koleci.
“Shembulli i tyre është frymëzues për fëmijët e të rinjtë, për të arritur rezultate të larta dhe për të qenë të suksesshëm, jo vetëm në sport, por edhe në jetë”, – ka përfunduar Presidenti i Republikës, Ilir Meta.