AlbanianSport.com 27/12/2018 22:40
ASNN – Disfata e Napolit në minutat e fundit të ndeshjes me Interin, solli jo vetëm tension në radhët e skuadrës, por edhe disa pikëpyetje që kanë të bëjnë me të ardhmen në pjesën e dytë të sezonit në Serinë A. Vëmendjen e ndeshjes e mori mbrojtësi Kulibali, i cili doli nga loja me karton të kuq, i provokuar nga tifozët, që lëshuan thirrje raciste ndaj tij.
Por sot mediat italiane janë marrë me problemin e vërtetë të mbrojtjes së Napolit: Elseid Hysajn. Shqiptari qëndroi 90 minuta në stol dhe nuk u aktivizua fare. Gazetarët italianë kanë zbuluar statistikat e dobëta të lojtarëve të tjerë që luajnë në mbrojtje si Malkuiti, Rui apo Kajehoni. Duke parë këto mangësi në mbrojtje, trajneri Karlo Ançeloti me siguri që do të kërkojë kthimin e Hysajt në formacion në ndeshjen tjetër.
Por sipas mediave italiane aktivizimi titullar i Hysajt në ndeshjen e radhës do të bëhet jo për shkaqe taktike, por se ai do të luajë duelin e fundit me fanellën e Napolit para se të transferohet në janar drejt Premier Ligës angleze. Sipas mediave italiane, interesimi i Çellsit ka arritur maksimumin dhe pritet që të dy klubet të arrijnë një akord. Largimi i mbrojtësit të përfaqësueses së Shqipërisë nga napolitanët në ditët e para të janarit shihet i pashmangshëm.