AlbanianSport.com 27/12/2018 20:50
ASNN – Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo patën një rivalitet prej 10 vjetësh midis tyre, ku fituan secili nga pesë herë “Topin e Artë”. Ky rivalitet iu ndërpre këtë vit, pasi ishte kroati i Realit Luka Modriç që bëri për vete çmimin për lojtarin më të mirë në botë. Por Ronaldo e di se rivaliteti vijon të jetë me Mesin, të cilin ka prej disa ditësh që e ka ftuar të luajë në Serinë A.
Pra e ka ftuar të vijë në kampionatin italian me një skuadër të Serisë A. Në fillim një ftesë e tillë u pa me entuziazëm, por këtë emocion e zbehu disi vetë Mesi, i cili në një dalje të fundit për mediat i ka kthyer përgjigje negative sulmuesit portugez. “A do ta pranoj sfidën e Ronaldos për t’i bashkuar futbollit italian? – u shpreh Mesi në konferencë shtypi para gazetarëve. – Nuk kam nevojë për asnjë ndryshim.
“Jam me skuadrën më të mirë në botë. Sfidat e mia rinovohen vit pas viti. Nuk kam nevojë t’i ndryshojë skuadrat ose ligat për t’ia vendosur vete disa sfida të reja. Jam në shtëpi dhe nuk kam nevojë të ndryshoj asgjë”, – shtoi argjentinasi. Pra përgjigja e Mesit nuk lë vend për dyshime. Ai do të vijojë të qëndrojë tek Barcelona dhe koha i ka dhënë të drejtë.
Ekipi katalan vijon të jetë në vend të parë në La Liga, por edhe vetë Mesi është golashënuesi më i mirë i momentit në ligat kryesore evropiane dhe praktikisht një prej pretendentëve kryesorë për të fituar jo vetëm kampionatin në Spanjë, por edhe Ligën e Kampioneve me Barcelonën e tij. Sidoqoftë, edhe Ronaldo është pretendent me Juventusin, kështu që rivaliteti mes tyre do të vijojë të jetë i fortë të paktën edhe vitin e ardhshëm.