AlbanianSport.com 26/12/2018 23:35
ASNN – Nëse Berat Gjimshiti zhgënjeu në takimet e radhës në Serinë A, krejt e kundërta ndodhi me Emanuele Ndojin në Serinë B të kampionatit italian, ku mesfushori shqiptar bëri një ndeshje perfekte dhe një prezantim të shkëlqyer në fundin e ndeshjes me një gol me vlera, pasi Breshia fitoi 3-2 ndaj Kremonezes.
“Kur shkon në thellësi, është i paparashikueshëm, – shkruhet në vlerësimin e mediave italiane për mesfushorin Emanuele Ndoji. – E administron mirë topin dhe gjen golin e fitores si një sulmues i vërtetë. Në gjithçka bëri në këtë ndeshje ishte për t’u admiruar, por vlerësimin kryesor e meriton për golin e shënuar në sekondat e fundit, që i dha fitoren Breshias.”
Ndoji mori notë maksimale 8, që tregon për lojën e tij të nivelit të lartë në këtë ndeshje dhe peshën e golit të fitores. Ndërkohë, po në Serinë A, dy portierët kuqezi, Etrit Berisha i Atalantës dhe Thomas Strakosha i Lacios, bënë ndeshje shumë të mirë me ekipet përkatëse.
Gardiani nga Kosova i përfaqësueses kuqezi bllokoi në duelin me Juventusin disa herë Manxhukiçin dhe Ronaldon, kurse Strakosha shijoi fitoren që u jep qetësinë të gjithëve në kampin e Lacios.