AlbanianSport.com 26/12/2018 16:15
ASNN – Kombëtarja kuqezi e futbollit po kalon një periudhë pasigurie dhe kjo ilustrohet më së miri edhe nga fakti se, teksa i afrohemi edhe më merkatos së janarit, një pjesë e futbollistëve të saj janë me valixhe në duar ndonëse është vetëm mesi i sezonit. Natyrisht spikat reparti i mbrojtjes, ku 3 titullarë, siç janë kapiteni Mërgim Mavraj dhe dy shokët e tij të sektorit, Arlind Ajeti dhe Elseid Hysaj janë në kuptim figurativ, “në ajër”.
Mavraj nuk po stabilizohet tek Arisi i Selanikut në Greqi dhe pritet të ndërrojë sërish skuadër, ashtu siç mund të thuhet edhe për Arlind Ajetin, i cili është rikthyer në Zvicër, tek Gras’hopersi. Është ndryshe historia me Elseid Hysajn, i cili është përfolur në mënyrë të vazhdueshme për një ribashkim me ish-trajnerin e tij Mauricio Sarri dhe për një zhvendosje në “Stemford Bridxh”, në Londër, në Premier Ligën Angleze.
Edhe në mesfushë, me valixhe në duar është shtatshkurtëri i krahut, Jahmir Hyka, por edhe organizatori i lojës, Ergys Kaçe. Për Hykën, duket se ëndrra amerikane ka përfunduar, pas disa sezonesh në MLS dhe tanimë vështrimin e ka hedhur drejt Evropës, ku Zvicra është destinacionin parësor, ndonëse zërat e merkatos e lidhin edhe për një kthim të bujshëm në futbollin shqiptar.
Edhe Kaçe nuk po stabilizohet tek Panathinaikosi dhe mund të ndërrojë klub. Më i madh është kontingjenti i shtegtarëve në sektorin e sulmit, çka reflektohet edhe në krizën e golave të munguar në Kombëtare. Armando Sadiku pritet të largohet nga Levante dhe të kthehet në Zvicër, edhe për shkak të një dëmtimi, ndërsa tanimë duket se është shndërruar në një sindromë ndërrimi i shpeshtë i skuadrave për Cikalleshin.
Ai pritet të largohet nga Gëztepeja. Edhe për dyshen shpresëdhënëse të futbollit shqiptar, Kristal Abazaj dhe Sindrit Guri, minutat kanë qenë me pikatore në futbollin belg dhe janari mund të sjellë risi të tjera. Me pak fjalë, merkatoja e janarit pritet ta gjejë në rrugë e sipër një pjesë të mirë të lojtarëve të Kombëtares kuqezi.