AlbanianSport.com 25/12/2018 23:35
ASNN – Lokomotiva e Zagrebit është një prej skuadrave që i ka mirëpritur shqiptarët dhe në këtë ekip kanë luajtur me sukses disa prej futbollistëve të Kombëtares kuqezi. Së fundmi, në gjirin e këtij ekipi aktivizohen dy shqiptarët, sulmuesi Myrto Uzuni, si dhe mbrojtësi Lirim Kastrati. Ka qenë vetë trajneri Goran Tomiç, i cili ka dhënë vlerësime mjaft të mira për ecurinë e skuadrës së tij.
E veçmas për të dy futbollistët shqiptarë, por theksi shkon për sulmuesin e Kombëtares Myrto Uzuni, i cili, në më pak se 4 muaj në kampionatin kroat ka shkëlqyer me lojën dhe golat e tij. Pati vështirësi vetëm në fillim, ku i duhej të përshtatej, kurse tani është një lider i padiskutuar i Lokomotivës së Zagrebit. “Jam shumë i kënaqur me lojtarët e rinj”, – u shpreh trajneri i Lokomotivës kroate, Tomiç.
“Uzuni dhe Kastrati kanë kaluar çdo pritshmëri nga ana ime, ata janë thjesht të mrekullueshëm dhe i duhen kësaj skuadre, – ka vijuar ai. – Por nuk është koha për eufori, duhet të vazhdojnë me këto ritme.” Uzuni ka qenë i ftuar nga trajneri Kristian Panuçi në ndeshjet e Kombëtares në muajin tetor dhe nëntor, duke zënë menjëherë vendin e titullarit.
Ky vit ka qenë për Uzunin mjaft i suksesshëm, plus që kaloi në një kampionat jashtë Shqipërisë dhe ai mund ta shfrytëzojë Lokomotivën e Zagrebit si një trampolinë drejt sukseseve të mëdha.